Bardhi përplaset me Dervishin: “Patronazhimi bie ndesh me standardet ndërkombëtare, duhej të kishit hetuar vetë”

Gazment Bardhi akuzoi Komisionerin për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi, për mosveprim ndaj shkeljeve të të dhënave personale gjatë zgjedhjeve dhe sistemit të patronazhimit.

Në një debat të ashpër në komision, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike theksoi se institucioni i Komisionerit ka dështuar të mbrojë privatësinë e qytetarëve, duke qëndruar pasiv përballë abuzimeve të njohura publikisht.

Bardhi u shpreh se Dervishi nuk duhej të kishte mbetur “i ftohtë” gjatë procesit zgjedhor, por të kishte nisur hetime kryesisht, pa pritur ankesa formale. “Ligji nuk kërkon të jesh i ftohtë, por aktiv në mbrojtjen e të dhënave personale”, – tha ai.

Sipas tij, fakti që nuk janë paraqitur ankesa tregon mungesën e besimit të qytetarëve te ky institucion. “Njerëzit nuk ju besojnë, sepse nuk kanë parë zgjidhje dhe as përkushtim nga ana juaj”, – shtoi Bardhi.

Deputeti demokrat iu referua raportit të OSBE-së, i cili e ka cilësuar sistemin e patronazhimit si shkelje të standardeve ndërkombëtare për privatësinë dhe zgjedhjet e lira. “OSBE e ka thënë qartë: sistemi bie ndesh me normat demokratike, ndërsa ju heshtët”, – theksoi ai.

Në përfundim të debatit, Bardhi kërkoi nga Dervishi të nisë hetime zyrtare për përpunimin e të dhënave sensitive nga partitë politike, përfshirë informacion mbi shëndetin, aplikimet për leje ndërtimi apo legalizime. “Të dhënat personale nuk mund të jenë në duart e partive politike – kjo është shkelje e rëndë që kërkon veprim institucional”, – përfundoi ai.

Ndaj Postimin: