Gjykata e Tiranës ka vendosur masë sigurie “arrest shtëpie” për mjekun stomatolog Roland Xhaxho dhe vajzën e tij Ina Xhaxho, pas vdekjes tragjike të 3-vjeçarit Brian Spahiu në klinikën dentare të tyre.
Sipas prokurorisë, mjeku akuzohet për “vrasje nga pakujdesia” dhe “mashtrim”, ndërsa e njëjta masë sigurie është vendosur edhe për stomatologen Marta Gina, e përfshirë në procedurën mjekësore ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë, kërkesa e prokurorisë për “arrest me burg” ndaj Xhaxhos nuk u pranua nga gjykata.
Vendimi u mor disa ditë pas dorëzimit të aktit të ri të ekspertizës mjeko-ligjore, të kryer nga mjekë italianë, i cili përmban mbi 200 faqe dhe i është përcjellë prokurorisë shqiptare. Përmbajtja e plotë e raportit nuk është bërë ende publike, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, por organet e drejtësisë kanë konfirmuar se ai do t’u vihet në dispozicion palëve pas përfundimit të hetimeve.
Familjarët e vogëlushit Brian Spahiu kanë kërkuar transparencë të plotë për ecurinë e hetimeve dhe për rezultatet e ekspertizës italiane. Ata kanë shprehur më herët pakënaqësi për hetimin fillestar të bërë në Shqipëri, duke e cilësuar të paplotë dhe me mungesë të qartësisë profesionale.
Ngjarja ndodhi më 1 tetor 2023, kur 3-vjeçari ndërroi jetë në spitalin shtetëror pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën e mjekut Roland Xhaxho. Sipas aktit të parë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, vdekja e fëmijës u shkaktua nga “dhënia e lëndës anestetike që solli vuajtje të thellë qelizore dhe insuficiencë multiorganore të parikthyeshme.”
Megjithatë, për shkak të pasaktësive të dyshuara në ekspertizën e parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi kryerjen e një akti të ri nga ekspertë ndërkombëtarë, me qëllim përcaktimin e saktë të përgjegjësisë mjekësore në këtë rast tragjik.
Hetimet për vdekjen e vogëlushit vijojnë, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të përcaktojnë nëse gabimet mjekësore gjatë procedurës dentare ishin shkaku kryesor i humbjes së jetës së 3-vjeçarit.
 
				 
															 
         
         
        

