Atentat me tritol në Sarandë: hakmarrje për djalin e burgosur?

Një shpërthim tritoli tronditi Sarandën, duke i marrë jetën Isuf Jacajt, babait të 31-vjeçarit Klaus Jacaj, të përfshirë në plagosjen e dyfishtë të 17 korrikut.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:50 në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në një automjet tip Toyota në pronësi të Isuf Jacajt, 58 vjeç. Autoritetet konfirmuan se viktima, i njohur me nofkën “Bushi”, humbi jetën në vend si pasojë e shpërthimit të fuqishëm.

Isuf Jacaj ishte një emër i njohur për policinë. Me precedentë penalë që datojnë që para viteve 2000, ai kishte qenë i përfshirë në disa ngjarje të dhunshme. Në vitin 2010 u plagos gjatë një konflikti me sende të forta, ndërsa në 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri në të njëjtën zonë ku u vra mbrëmjen e sotme.

Në vitin 2022, ai u arrestua sërish pas një përleshjeje ku u gjet me një përforcues grushti. Pavarësisht të kaluarës, kohët e fundit punonte në sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij drejt plazheve të zonës.

Policia dyshon se vrasja e tij është pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh, që lidhet me ngjarjen e 17 korrikut 2025, kur Ramadan Zoto plagosi Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lamën. Djali i viktimës, Klaus Jacaj, aktualisht në burg për “përkrahje të autorit të krimit”, u bë gjithashtu objekt i një sulmi më 21 korrik, kur automjeti i tij u hodh në erë nga një person i maskuar.

Hetimet për ngjarjen janë në vijim. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të mbledhur prova dhe për të identifikuar autorët. Policia e Sarandës njoftoi se po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij atentati që ka tronditur qytetin bregdetar.

Ndaj Postimin: