Rama shfaq hapur përbuzjen ndaj Trumpit dhe aleancës amerikane

Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për urrejtje të hapur ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke e krahasuar qëndrimin e tij me propagandën e regjimeve antiamerikane.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në samitin e fundit, duke e cilësuar sjelljen e tij si “aktin më të shëmtuar që mund të bëjë një përfaqësues shteti”. Sipas Berishës, Rama tregoi një urrejtje të fshehur ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Berisha theksoi se deri më sot, në arenën ndërkombëtare, vetëm Irani ka guxuar të kritikojë publikisht presidentin Trump, ndërsa tashmë këtë e ka bërë edhe kryeministri shqiptar. Ai kujtoi se “trashëgimia hoxhiste” e Ramës e shtyn atë të vijojë retorikën antiamerikane, ashtu si dikur Enver Hoxha e mbushi vendin me propagandë kundër Perëndimit.

Në fjalimin e tij, Berisha u ndal edhe te simbolika politike e veprimeve të Ramës. Ai theksoi se “Edi Rama nuk është diktator totalitar si Hoxha, por autoritar, dhe ndjek të njëjtën linjë të përballjes me SHBA-të”. Sipas tij, kjo urrejtje buron jo vetëm nga formimi ideologjik, por edhe nga “dosjet e hapura për të në Shtetet e Bashkuara” dhe lidhjet me rrjete të financuara nga George Soros.

Berisha shtoi se qëndrimet e Ramës për proceset e paqes në Kaukaz janë të pakuptueshme dhe të dëmshme për imazhin e Shqipërisë. Ai kujtoi se ndërhyrja amerikane në atë rajon solli stabilitet për Azerbajxhanin dhe Armeninë, duke zgjidhur një konflikt të gjatë dhe duke hapur korridoret e lirisë që më parë ishin bllokuar.

“Vetëm Irani kritikoi atë marrëveshje të paqes,” tha Berisha, “ndërsa Rama guxoi ta tallet me një arritje që Shtëpia e Bardhë e konsideroi historike.” Ai e cilësoi këtë sjellje si “pafytyrësi të një njeriu që përpiqet të paraqitet si lider europian, ndërkohë që shfaq përbuzje ndaj partnerëve strategjikë të vendit.”

Berisha e akuzoi Ramën se në samitin e Bledit, ai foli si një njeri që “nuk beson më në rolin e SHBA-së në ruajtjen e paqes”. Sipas tij, deklarata si “Europa është vetë paqja” tregojnë arrogancë dhe shkëputje nga realiteti ndërkombëtar.

Në vijim, ai kritikoi kryeministrin për “fjalimet e tij të dyfishta” ku njëherë tallet me perëndimin dhe herën tjetër përpiqet të shfaqet si pjesë e tij. “Nuk mund të pretendosh se je europian duke ofenduar Shtetet e Bashkuara,” u shpreh Berisha me ton të ashpër.

Në fund të fjalës, kreu i opozitës paralajmëroi se me drejtues si Rama, Shqipëria po rrëshqet drejt “greminës morale dhe ekonomike”. Ai bëri thirrje për një mobilizim të përgjithshëm të strukturave të Partisë Demokratike, të anëtarëve dhe qytetarëve për ta ndalur “narkoshtetin që po e kthen vendin në një organizatë të krimit dhe drogës, njësoj si dikur Enver Hoxha e ngriti mbi luftën e klasave.”

Berisha e përmbylli me thirrjen për “shpëtimin e vendit nga një pushtet që po e shkatërron identitetin, dinjitetin dhe aleancat e tij historike me Perëndimin.”

Ndaj Postimin: