Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar dhe vendi rrezikon të hyjë në vitin 2026 pa buxhet, duke u përballur me pasoja të rënda ekonomike e sociale.
Krizës politike në Kosovë nuk po i shihet fundi, ndërsa ngërçi në Kuvend po paralizon edhe financat publike. Sipas ligjit, qeveria duhet ta dërgojë projektligjin e buxhetit në Kuvend deri më 31 tetor, por për shkak se ai nuk është ende i konstituuar, ky proces ka mbetur i pezulluar. Ministria e Financave thotë se është duke punuar mbi projektbuxhetin, por pa miratimin e deputetëve ai nuk mund të hyjë në fuqi.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, paralajmëron pasoja katastrofale nëse ligji nuk aprovohet me kohë. Sipas tij, pas 1 janarit shteti nuk do të ketë mundësi të shpenzojë asnjë qindarkë përveç pagave të punonjësve. Ky skenar do të çonte vendin në një paralizë të plotë financiare, duke e kufizuar funksionimin vetëm deri në muajin mars.
Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi e sheh të pamundur që një qeveri në detyrë të miratojë buxhetin e vitit 2026. Ky institucion thekson se, sipas ligjit për menaxhimin e financave publike, buxheti duhet të miratohet nga një qeveri legjitime dhe Kuvend funksional deri në fund të vitit. Në të kundërtën, vendi futet në krizë financiare pa precedent.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur alarmin se vendi ndodhet në prag të kolapsit ekonomik. Sipas AKB-së, varfëria është në rritje, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, importet kapin shifrën e 7 miliardë eurove, ndërsa investimet në ndërtimtari, që arrijnë në 9 miliardë, nuk po gjenerojnë vende pune e zhvillim industrial. Për më tepër, emigrimi masiv ka tkurrur popullsinë me rreth 10% vetëm vitin e fundit.
Mosmiratimi i buxhetit do të bllokonte investimet zhvillimore dhe projektet e rëndësishme për Kosovën. Qindra miliona euro nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian, të destinuara për vendin, nuk janë vënë ende në zbatim, ndërkohë që shtetet e tjera të rajonit kanë përfituar tashmë fonde konkrete.
Situata e rëndë ka paralizuar edhe institucionet e pavarura. Avokati i Popullit dhe anëtarët e tij janë pa mandat, KPM është jofunksional, ndërsa mungesa e përbërjes ka goditur RTK-në, Gjykatën Kushtetuese dhe disa autoritete rregullatore. Sipas IKD-së, 17 institucione po funksionojnë me përbërje të cunguar dhe katër prej tyre nuk marrin dot vendime.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Deputetët kanë vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur këtë proces, por partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën. Ndërkohë, viti 2025 shihet si i humbur për zhvillimin e vendit, me pasoja të rënda që mund të zgjaten edhe në vitin 2026.


