Edhe në këto ditë të freskëta në fillim të muajit Tetor ,Flamingot, këto shpendë të hijshëm dhe ngjyrë rozë, janë kthyer tashmë në banorë të përhershëm të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, duke e bërë këtë zonë një nga mrekullitë natyrore më të veçanta të vendit.
Njohur tradicionalisht si zogj shtegtar, vitet e fundit flamingot kanë zgjedhur të qëndrojnë gjatë gjithë vitit në këtë habitat të rrallë, duke gjetur qetësi, ushqim dhe mbrojtje në një nga lagunat më të mëdha dhe më të ruajtura në Shqipëri.
Me këmbët e gjata elegante, sqepin karakteristik në formë harku dhe pendët rozë-bardhë që reflektojnë në ujërat e lagunës, flamingot jo vetëm që hijeshojnë peizazhin, por janë dhe simbol i gjallë i biodiversitetit që ky park ofron.
Vizitorët dhe turistët, vendas e të huaj, mahniten nga prezenca e tyre, teksa i shohin duke kaluar mbi sipërfaqen e ujit në kërkim të ushqimit të tyre të preferuar — krustace, algave dhe mikroorganizmave që rriten në ujërat e kripura të lagunës.
Flamingot në Karavasta janë të mbrojtura me ligj, falë përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare dhe mbështetjes ndërkombëtare për ruajtjen e ekosistemit delikat të këtij parku të rrallë, që mbetet një thesar natyror për gjithë rajonin.
Divjaka nuk është më thjesht një destinacion turistik, por një strehë e gjallë për jetën e egër dhe një histori suksesi për bashkëjetesën midis natyrës dhe njeriut.
Nga: Ndriçim Gjoshi


