Rama paralajmëron masa të reja për ndërtimet pa leje

Kryeministri Edi Rama njoftoi se punonjësit e shtetit që kapen me ndërtime pa leje do të ndalohen nga puna në administratë për 7 vite rresht.

Shefi i qeverisë prezantoi planin e masave të reja kundër ndërtimeve pa leje, duke theksuar se çdo shkelje e konstatuar nuk do të kalojë pa pasoja. Përveç gjobave dhe ndjekjes penale, çdo punonjës shteti i përfshirë në shkelje do të përballet me ndalim të punësimit në administratë për një periudhë 7-vjeçare.

Rama tha se abuzimet me ndërtimet e paligjshme janë trashëguar nga qeverisjet e mëparshme. Ai kujtoi se në të kaluarën Bathorja është quajtur “mrekullia e tetë e botës” për faktin se u ndërtua pa leje, duke e cilësuar këtë si shembull të keq të legalizimit të kaosit.

Kryeministri shtoi se çdo godinë e ndërtuar në Shqipëri do të ketë persona përgjegjës për lejen, certifikatat dhe dokumentet e punimeve, duke e ndalur praktikën e “fajit anonim”. Sipas tij, kushdo që firmos një dokument të rremë do të mbajë përgjegjësi të plotë ligjore.

Ndër masat e reja përfshihet edhe detyrimi që subjektet e kapura me shkelje të mbulojnë të gjitha shpenzimet për prishjen dhe pastrimin e ndërtimeve. Rama theksoi se shteti nuk mund të shpenzojë më kohë dhe para për të korrigjuar gabimet e atyre që ndërtojnë jashtë ligjit.

Qeveria ka parashikuar edhe ndryshime në Kodin Penal, të cilat do të kalojnë në konsultim publik. Masat e reja përfshijnë ndëshkime më të forta për mosdeklarimin e punimeve, si dhe për ndërtimet pa leje në zona me prioritet zhvillimi.

Sipas Ramës, strukturat e inspektimit do të forcohen me personel shtesë për të rritur kontrollin dhe për të shmangur surprizat. Ai u shpreh se çdo ndërtesë do të lidhet me përgjegjës të caktuar, duke i dhënë fund praktikës së mosmbajtjes së përgjegjësisë nga askush.

Ndaj Postimin: