Shqipëria po përballet me rënie të prodhimit bujqësor, por importet e pesticideve vijojnë të rriten, duke shtuar rreziqet për shëndetin publik dhe mjedisin.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2023 importet e pesticideve në vend arritën në 1,480 tonë, me një rritje vjetore prej 6.8%. Kjo ndodh në një kohë kur prodhimi bujqësor ka rënë ndjeshëm, duke ngritur pikëpyetje mbi balancën midis nevojave reale të bujqësisë dhe përdorimit masiv të kimikateve.

Gjatë periudhës 2010–2023, përdorimi i pesticideve ka pasur luhatje të mëdha, me kulmin në vitin 2020 kur importet e tyre kaluan mbi 2,000 tonë. Në vitin 2010 u importuan 1,356 tonë, çka tregon një rritje të ndjeshme brenda një dekade. Megjithatë, insekticidet, grupi më i rrezikshëm për shëndetin, janë përgjysmuar pas vitit 2020, duke zbritur në 407 tonë në vitin 2023.
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se edhe pse sasia e insekticideve është ulur, ato vijojnë të përbëjnë kërcënimin më serioz, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor dhe lidhen me helmime akute dhe çrregullime neurologjike afatgjata. Nga ana tjetër, fungicidet u importuan në nivelin 298 tonë në vitin 2023, me një rritje të lehtë prej 3.5%, por shumë prej tyre mbeten të lidhura me efekte hormonale dhe kancerogjene.
Herbicidet kanë pësuar rritjen më të ndjeshme, duke kaluar nga 35 tonë në vitin 2010 në mbi 408 tonë në vitin 2023. Edhe pse konsiderohen më pak toksike sesa insekticidet, përbërës si glifosati vazhdojnë të jenë në qendër të debateve shkencore për ndikimet e mundshme në kancer dhe shëndet afatgjatë.
Ndërkohë, dezinfektantët kanë pasur përdorim të paqëndrueshëm, duke mbetur në nivele më të ulëta krahasuar me grupet e tjera. Në doza të kontrolluara ato janë më pak të rrezikshme, por përdorimi i pakujdesshëm mund të shkaktojë irritime të lëkurës dhe probleme respiratore.
Analiza e INSTAT nxjerr në pah një prirje të qartë: bujqësia shqiptare po zhvendoset drejt përdorimit më të madh të herbicideve dhe fungicideve, ndërsa insekticidet mbeten ende një rrezik serioz. Sipas ekspertëve, kjo qasje rrit varësinë nga importet dhe e ekspozon vendin ndaj pasojave të rënda mjedisore dhe shëndetësore.
Në këtë kuadër, përdorimi i pesticideve mbetet një temë e nxehtë, ku balanca mes sigurisë ushqimore, mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe kujdesit për mjedisin kërkon politika më të forta dhe kontrolle të vazhdueshme.