Dy avionë rajonalë të Delta Air Lines u përplasën gjatë lëvizjes në pistën e LaGuardia, njëri prej tyre goditi xhamat e kabinës së pilotit të tjetrit.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku të dy avionët CRJ-900, të operuar nga kompania rajonale Endeavor Air, u përfshinë në një përplasje me shpejtësi të ulët. Fluturimi 5047, që kishte mbërritur nga Charlotte e Karolinës së Veriut, u godit nga krahët e fluturimit 5155 që po përgatitej të nisej drejt Roanoke, Virxhinia.
Nga përplasja, krahu i avionit në nisje preku hundën dhe xhamat e kabinës së tjetrit. Në komunikimin e publikuar nga LiveATC.net, piloti i fluturimit 5047 njoftoi kontrollin e tokës se krahët e avionit tjetër kishin prekur pjesën e përparme të mjetit.
Një stjuardesë pësoi lëndime në gju gjatë incidentit dhe u transportua në spital, ndërsa sipas Autoritetit Portual të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, që administron aeroportin, nuk pati të lënduar të tjerë. Në total, 57 pasagjerë ishin në bordin e fluturimit nga Charlotte dhe 28 të tjerë në fluturimin drejt Roanoke.
Pasagjerët u dërguan me autobusë në terminal dhe më pas u akomoduan në hotele, duke marrë gjithashtu shërbime ushqimore. Delta Air Lines deklaroi se po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes, duke theksuar se siguria e klientëve dhe punonjësve është prioriteti kryesor.
Autoriteti Portual sqaroi se incidenti nuk ndikoi në operacionet e tjera të aeroportit. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit është pyetur për një reagim, por nuk është e qartë nëse do të përgjigjet menjëherë për shkak të mbylljes së pjesshme të qeverisë.