Një 55-vjeçar nga Vlora u kap në Kakavijë me 53 500 euro të padeklaruara, policia bllokoi paratë dhe nisi procedim penal në Prokurorinë e Gjirokastrës.
Një shtetas 55-vjeçar është vënë nën hetim pas tentativës për të kaluar kufirin në Kakavijë me një shumë të madhe parash, të padeklaruar sipas ligjit. Gjatë kontrollit rutinë, policia kufitare gjeti në çantën e tij 53 500 euro.
Paratë u sekuestruan menjëherë në cilësinë e provës materiale, ndërsa shtetasi i identifikuar me inicialet A. Xh., banues në Vlorë, po përballet me akuzën për “Mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”.
Policia bëri të ditur se veprimet janë pjesë e masave të përforcuara për të parandaluar dhe goditur krimet ekonomike në pikat kufitare, duke theksuar se deklarimi i shumave të mëdha është një detyrim ligjor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Gjirokastër referuan menjëherë materialet në Prokurori. Pas shqyrtimit, prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe ka urdhëruar vijimin e hetimeve.
Burime zyrtare sqarojnë se procedimi për 55-vjeçarin po kryhet në gjendje të lirë, ndërsa shuma e sekuestruar do të përdoret si provë në procesin gjyqësor.
Dosja tashmë i është kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër, e cila do të ndjekë hapat e mëtejshëm ligjorë për rastin.