Skandal me specat nga Divjaka, Kroacia bllokon 8 ton për pesticide të ndaluara, AKU hesht!

Një tjetër njollë e rëndë mbi bujqësinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, mbi sigurinë ushqimore.

Plot 8 ton speca të kuq djegës me origjinë nga Divjaka janë bllokuar nga autoritetet kroate, pasi u zbuluan 3 lëndë të ndaluara pesticidesh në këtë sasi të eksportuar. Kroacia ka vendosur t’i asgjësojë menjëherë produktet, duke i dhënë një goditje të fortë imazhit të Shqipërisë në tregjet e Bashkimit Europian.

Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm muajin e kaluar, edhe Sllovenia dhe Kroacia kthyen pas domate shqiptare për shkak të mbetjeve të larta kimike. Fenomeni po përsëritet, ndërkohë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vazhdon të jetë i padukshëm dhe joefektiv.

Kjo situatë është alarmante për disa arsye:

  1. Fermerët e ndershëm dëmtohen rëndë, pasi produktet shqiptare bien në dyshim si tërësi, duke u përgjithësuar padrejtësisht.
  2. Emri i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare po përlyhet, duke krijuar imazhin e një vendi që nuk kontrollon produktet e veta.
  3. AKU ndërhyn gjithmonë pasi ndodh skandali, në vend që të parandalojë rastet me analiza dhe kontrolle serioze para eksportit.
  4. Rreziku më i madh mbetet për konsumatorin shqiptar: nëse këto produkte nuk kalojnë dot në BE, me shumë mundësi janë duke u shitur në tregjet tona si “bio”.

Për çfarë ekziston AKU nëse nuk garanton kontrollin e produkteve para se ato të shkojnë jashtë? Dhe a do të mbajë njeri përgjegjësi për këtë dështim të përsëritur?

Është koha që përgjegjësit të dalin hapur, jo në konferenca e statuse, por me veprime konkrete. Ndryshe, Shqipëria rrezikon të përjashtohet nga tregjet europiane, duke i lënë fermerët tanë të ndershëm në mëshirë të fatit dhe qytetarët shqiptarë të konsumojnë produkte të rrezikshme për shëndetin.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: