Fermerët që kanë aplikuar në fillim të këtij viti për të përfituar mbështetje financiare në sektorin e të mbjellave stinore, frutikulturës, vreshtarisë, bletarisë, gjedhëve, etj, ende nuk ju kanë kaluar paratë.
Nga: Ndriçim Gjoshi
Burime për “TV Apollon ” thanë se ditët e fundit ka nisur dhënia e lekëve sipas kategorive të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Fermerët që kanë aplikuar në skemën e fillimit të këtij viti duhet të marrin fondet për fara e fidanë që i kanë mbjellë, për bimët mjekësore, për kultivimin në sera, etj
Kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të duhet të marrin 200 mijë lekë për hektar. Edhe fermerët e bimëve medicinale do të marrin 30 mijë lekë për hektar. Po ashtu në fuqi do të vijojë të jetë edhe skema e naftës pa taksa, por as kjo e fundit nuk është mbyllur si proces ndonëse jemi në muajin e parë të vjeshtës.
Skema parashikonte që me 1 mijë lekë për koshere të mbështeten bletarët me jo më pak se 50 koshere. Për këta të fundit ka nisur procesi i ndarjes së parave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Për blegtorët që mbarështojnë viça skema mbështetëse parashikon 5 mijë lekë për krerë.
Ata që mbarështojnë lopë përfitojnë 10 mijë lekë mbështetje për tufa jo më të vogla se 10 krerë. Ndërsa për dhi e dele financimi është 1200 lekë për krerë, për tufa jo më të vogla se 100 krerë.
Fermerët janë në pritje të lëvrimit të vlerës monetare të premtuar nga ministria për të përballuar shpenzimet që kanë patur gjatë kësaj kohe në fermat e tyre.