Këshilli Bashkiak i Vlorës – Apandisit, nje organ krejtesisht i padobishem.

Në mbledhjen e djeshme jashtë radhe të Këshillit Bashkiak të Vlorës u konfirmua ajo që dyshohej: ky organ nuk ka më funksion, ai është shndërruar në “apendesit” – një organ që ekziston formalisht, por pa ndikim real. Ai nuk ushtron më kontroll dhe nuk ofron asnjë ide të re për qeverisjen vendore.

Qëllimi i mbledhjes ishte rishikimi i buxhetit dhe rialokimi i fondeve drejt projekteve që konsideroheshin më të nevojshme, më të thjeshta për t’u realizuar dhe me efekt më të madh. Por, përtej rendit të ditës, çka u pa në sallë ishte një auto-demaskim: këshilltarët ishin mbledhur për të shfuqizuar projekte që vetë i kishin miratuar vetëm pak muaj më parë.
Kryetari në detyrë, Elis Halili, e pranoi publikisht se shumë prej projekteve infrastrukturore kishin qenë problematike dhe kishin mospërputhje. Kjo është shumë e butë dhe dashamirëse, por të marrësh parasysh shembullin e një projekti të cilit iu morën fondet, ai i trotuareve të Transballkanikes, një projekt me vlerë rreth 2 milionë euro, i cili qe gati për t’u nisur, por u anulua në momentin e fundit. Dhe arsyeja është sa shokuese aq absurde dhe kriminale: trotuaret do të duhej të prisheshin menjëherë pas ndërtimit për të hapur kanale kulluese. Me fjalë të tjera, drejtoria e projekteve dhe infrastrukturës, me dijeni të plotë, kishte sjellë për miratim në këshill një projekt që ishte “i dënuar” të shkonte drejt dështimit dhe humbjes së fondeve publike.

Po ku e gjejnë guximin këta?
Nëse një drejtori projektesh dhe infrastrukture sjell për miratim një projekt me dije të plotë që do të duhej prishur menjëherë pas ndërtimit, kjo nuk është më çështje paaftësie, por abuzim i qëllimshëm me fondet publike. Këtu lind pyetja e madhe: kush mban përgjegjësi? Kush i ka firmosur dokumentet? Kush i ka verifikuar projektet? Dhe mbi të gjitha: kush i ka lënë të kalojnë pa asnjë analizë të dytë?
Guximi për të sjellë projekte të tilla, dhe për t’i kaluar për miratim në këshill, buron nga bindja se askush nuk do të mbajë përgjegjësi.

Në çdo vend normal, një projekt prej 2 milionë euro i ndërtuar mbi absurditetin që do të prishej ditën e parë, do të hapte skandal, hetime penale, dorëheqje dhe sanksione. Në Vlorë, ai thjesht u anulua, fondet u rialokuan diku tjetër, dhe mbledhja vijoi sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
Pra edhe një herë, ku e gjejnë guximin? Besoj se e gjejnë tek fakti se kanë përballë një sistem pa kontroll real, një këshill që e kanë në “xhep” dhe që bën “noterin” duke normalizuar çdo çmenduri, absurditet dhe vepër penale e kriminale, qytetarë që janë mësuar të dëgjojnë për “gabime” të tilla pa parë asnjëherë ndëshkim.

Dy projektet: shkolla “Marigo Posio” dhe kanali që do të zgjidhë “Albano dhe Romina” dhe rrugën e Kishës
Në vend të projekteve të anuluara, fondet do të rialokoheshin në dy drejtime: riparimin e shkollës “Marigo Posio” dhe ndërtimin e një linje kanali kullues, që do të lehtësonte përmbytjet në rrugën “Albano dhe Romina” dhe rrugën e Kishës Ortodokse. Në parim, projekte të justifikuara dhe të pritshme nga qytetarët. Por, siç do të zbulonte debati, edhe këtu kishte hije dyshimi mbi transparencën dhe seriozitetin e planifikimit.
Pyetje pa përgjigje

Atird Hoxha, këshilltar i opozitës dhe kryetar i grupit të djathtë, ngriti zërin kundër mënyrës se si ishte sjellë dokumentacioni i kanalit: sipas tij, bëhej fjalë për disa skica dhe planimetrime, jo për një projekt të plotë, të detajuar dhe transparent. Sipas tij administrata e Bashkisë vazhdonte të vepronte me të njëjtën mungesë profesionalizmi dhe arrogance, duke “i shitur” këshillit ca zhgarravina për dokumente serioze ligjore.
Ndërsa Gerond Gubardhi u përqendrua tek anomalia e çmimeve: “Leket kanë qenë dhe janë, por leket zhduken. Një metër pllake kushton 5,200 lekë të vjetra, ndërsa një metër pllake banjoje 32 mijë lekë të vjetra. Si mund të shpjegohet kjo diferencë absurde?” – pyeti ai, duke vënë në pah atë që e quajti “mungesë e plotë kontrolli financiar.”
Debat brenda dhe jashtë rreshtave politikë
Ironia e mbledhjes nuk mungoi: këshilltarët, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, sa herë i drejtoheshin Elis Halilit, nuk harronin të theksonin “kryetari në detyrë,” një formulim që i ngjante më shumë një shënimi në kllapa sesa një respekti institucional.

Gjergj Nika u përqendrua në procesin e miratimit të projekteve, duke pyetur sesi është e mundur që një këshill të votojë në mënyrë kaq mekanike pa një analizë serioze paraprake. Klodian Xhyeri e çoi debatin drejt një dimensioni tjetër: dobia afatgjatë dhe jetëgjatësia e projekteve, duke pyetur se çfarë kuptimi kanë investime që prishen pas pak muajsh.
Një element befasues ishte qëndrimi i këshilltares socialiste, Elca Brezhani, e cila përkrahu hapur kritikat e Atird Hoxhës. Ky solidaritet i pazakontë brenda një salle të polarizuar politikisht tregonte se pakënaqësia ndaj mënyrës se si po menaxhohej buxheti nuk ishte më thjesht një kauzë opozitare.
Në debat mori fjalën edhe Ervis Mocka, i cili u përpoq të ulte tonet dhe ta zhvendoste diskutimin nga akuzat drejt një zgjidhjeje pragmatike: “Problematikat dhe mosrakordimet zgjidhen me bonsens,” – tha ai, duke lënë të kuptohej se edhe pse kishte mangësi dhe keqplanifikime, ato mund të korrigjoheshin me qasje më të matur dhe bashkëpunim institucional.
Kryetari Elis Halili, me një zë të ulët, gati sikur fliste me veten, u përpoq të shpjegonte se:
“Ka një vëmendje kryesore për kolektorin e ujërave të larta, për kanalin e Saviatit, kolektorët e tjerë kryesorë nga Bishti i Kalldrëmit në Lungomare. Me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes është bërë heqja e soletoneve, është bërë pastrimi. Mendohet që të rehabilitohet nga një projekt i financuar nga qeveria shqiptare. Kanali i Naunkës – kemi mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes me mjetet e tyre, duke bashkërenduar me mjetet e Bashkisë Vlorë. Fillimisht do të pastrohet dhe pastaj do të rehabilitohet përfundimisht.

Projekti që po ju prezantojmë nuk janë disa skica, nuk janë disa vizatime, e them me bindje. Këtu tregohet i gjithë rrjeti hidrik i qytetit. Ky është ditur, inxhinierët e vjetër e kanë ditur, por nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për t’i rikthyer, rehabilituar dhe ridimensionuar këto kanale. Është projekt i detajuar hidrik, ka planimetri, ka seksionet e kanaleve dhe ky projekt është vetëm një lot i rehabilitimit total të gjithë ujërave të larta. Me këtë projekt zgjidhim rrugën “Albano dhe Romina” dhe rrugën e Kishës. Loti i dytë: nga Universiteti deri tek ish–“Vola”. Loti i tretë: nga ish–“Vola” deri tek “Albano dhe Romina”.
Projektet e hartuara nga zyra urbanistike kanë pasur probleme. Është diçka që ka pasur gjithmonë probleme. Do të ketë një kujdes kryesor që kjo të mos ndodhë më. Kemi projekte të tenderuara, dhe përballemi me mospërputhje projekt–situatë në terren. Nuk jemi krenarë dhe ky është problemi kryesor i administratës sonë.”
Por fjala e tij duket sikur nuk bindi njeri, madje as atë vetë. Por askush nga pozita nuk ka nevojë t’i bindesh dhe të përgatitesh seriozisht, pasi ata e kanë ndarë para se të fillojë mbledhja si do të votojnë.

E kështu, me gjithë pakënaqësitë e opozitës dhe kërkesat e saj për transparencë, me problematikën e projekteve të shkuara, të cilat ishin të padobishme dhe kriminale si rasti i trotuareve të Transballkanikes, me përpjekjen e dobët të kryetarit për të bindur këshillin që këto dy projekte ishin më të mirat e mundshme për qytetin, këshilli përfundoi duke bërë atë që di të bëjë më mirë: të injorojë sugjerimet e opozitës dhe të votojë pro projekteve. Në fund, pavarësisht debatit dhe pikëpyetjeve, vendimi u mor dhe projektet u miratuan.
Mbledhja e djeshme ishte një ilustrim i qartë i kulturës së mungesës së llogaridhënies në qeverisjen vendore. Projekte të paqarta miratohen, miliona euro planifikohen, dhe vetëm kur vjen momenti i zbatimit zbulohet se ato nuk kanë as sens urbanistik, as logjikë ekonomike. Këshilli bashkiak, i cili në teori duhet të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të kontrollojë ekzekutivin, përfundon duke miratuar projekte që më pas detyrohet t’i rrëzojë – një rreth vicioz i cilit nuk i dihet fundi.

Qytetarët e Vlorës presin prej kohësh zgjidhje konkrete për problemet më bazike: shkolla të sigurta, rrugë funksionale dhe kanalizime që shmangin përmbytjet. Por në vend të kësaj, ata shohin një këshill që ngjan më shumë me një teatër të improvizuar ku debati politik mbulon mungesën e vizionit dhe profesionalizmit. Nëse ky organ vazhdon të funksionojë kështu, i vetmi përshkrim i mundshëm për të është ai që ua tha i riu i irrituar David Dano, kur ndërpreu mbledhjen e djeshme:
“Mashtruesa. Intrigatet e xxx-it.”

Nga: Adriatik Golemi

Ndaj Postimin: