Derbi Partizani–Tirana me interes të ulët nga tifozët

Dy ditë para derbit të madh në “Air Albania”, shitja e biletave nis edhe në pikat fizike, por interesi i tifozëve mbetet shumë i vakët.

Sfida mes Partizanit dhe Tiranës, e planifikuar për të premten e 3 tetorit në orën 19:00, nuk po ngjall entuziazmin e pritur. Pavarësisht emrit të madh të ndeshjes, tribuna pritet të mos mbushet si zakonisht.

Klubi i kuq e nisi shitjen “online” të biletave që javën e kaluar, por kërkesa mbeti e ulët. Të dielën, tifozët morën mundësinë t’i blejnë edhe pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Në ditën e ndeshjes, biletat do të jenë të disponueshme edhe në “Air Albania”.

Çmimet e biletave janë të kategorizuara nga 500 deri në 5000 lekë të reja, por kjo nuk ka nxitur një interes të dukshëm. Në kampin bardheblu bie në sy fakti se, ndryshe nga tradita, mungon ende një komunikim zyrtar për ndeshjen.

Partizani, si skuadër pritëse, duket se do ta ketë të vështirë të sigurojë të ardhurat e zakonshme nga një derbi, që zakonisht shënon shifra të larta fitimi.

Situata sportive nuk ndihmon atmosferën. Të dyja ekipet renditen në fund të tabelës, me vetëm dy pikë diferencë mes tyre dhe me shumë probleme për të treguar forcën e zakonshme.

Ky derbi, dikur i zjarrtë dhe me stadiume plot, këtë herë rrezikon të zhvillohet në një atmosferë të vakët, më shumë si një përballje për mbijetesë sesa për supremaci në kryeqytet.

Ndaj Postimin: