IUCN i kërkon Shqipërisë të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura

Kongresi Botëror i IUCN miratoi Mocionin 130 duke i kërkuar Shqipërisë të amendojë ligjin që lejon projekte të mëdha në zonat më të ndjeshme natyrore.

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka dërguar një mesazh të qartë dhe të ashpër ndaj qeverisë shqiptare. Me mbi 98% të votave pro, Kongresi miratoi Mocionin 130, i cili forcon kufizimet kundër zhvillimit të paqëndrueshëm turistik në Zonat e Mbrojtura. Ky vendim i jep fund justifikimeve për ndërtimin e resorteve apo aeroporteve në territore që duhet të mbeten të paprekura.

Shqipëria ndodhet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas ndryshimit të Ligjit Nr. 21/2024, i cili hapi rrugën për ndërtimin e infrastrukturës së rëndë brenda zonave të Kategorisë I dhe II të IUCN. Ky ligj, i promovuar si në përputhje me kriteret ndërkombëtare, në fakt shkel standardet globale të ruajtjes së natyrës. Pasojat janë të rënda: rrezikohet biodiversiteti, minohet procesi i integrimit europian dhe dobësohet qëndrueshmëria ndaj ndryshimeve klimatike.

Rasti më flagrant është ai i Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë. Dikur habitat për mbi 200 lloje shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot, kjo zonë tashmë ndodhet nën kërcënimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe një kompleksi gjigant turistik. Në vend që të forcoheshin, mbrojtjet ligjore u shfuqizuan për t’i shërbyer interesave afatshkurtra të zhvillimit.

Ky mocion nuk ka rëndësi vetëm për Shqipërinë. Zonat e mbrojtura në mbarë botën po përballen me presion gjithnjë e më të madh nga industria e ndërtimit dhe turizmi masiv. Mocioni 130 i IUCN thekson se këto zona nuk mund të trajtohen si hapësira të lira për ndërtime, por si thesare natyrore që duhet të ruhen.

Vendimi i Kongresit përcakton disa pika kyçe: rezervatet natyrore dhe parqet kombëtare duhet të mbeten të paprekura nga aeroportet apo resortet, legjislacioni kombëtar duhet të harmonizohet me udhëzimet e IUCN, dhe çdo projekt duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve të rrepta mjedisore e sociale.

Organizata mjedisore shqiptare PPNEA paralajmëron se edhe pse miratimi i Mocionit 130 është një fitore, rreziku mbetet. Qeveria shqiptare mund të vijojë me projekte shkatërruese në Parqet Kombëtare, duke shpërfillur standardet ndërkombëtare dhe kërkesat e BE-së.

Mesazhi i IUCN është i prerë: zonat e mbrojtura nuk janë prona të biznesit, por strehë të natyrës dhe pasuri për brezat e ardhshëm. Shqipëria duhet të rikthehet në rrugën e mbrojtjes dhe të ndalojë shkatërrimin e pasurive më të çmuara natyrore të saj.

Ndaj Postimin: