Qeveria shqiptare ka vendosur që në muajin tetor 2025 të kryejë indeksimin e pensioneve me 2.5% një rritje më e ulët krahasuar me një vit më parë, kur indeksimi arriti në 4.1%. Ky vendim vjen si pasojë e uljes së inflacionit gjatë periudhës 2023–2024.
Sipas përllogaritjeve, pensionistët në zonat urbane do të përfitojnë një shtesë mesatare prej 490 lekësh , ndërsa ata në zonat rurale do të përfitojnë rreth 296 lekë më shumë në muaj.
Aktualisht, në Shqipëri numërohen 721,398 pensionistë, prej të cilëve 630 mijë jetojnë në qytete dhe 91 mijë në fshatra.
Megjithatë, ekspertët e ekonomisë shprehen se ky indeksim nuk mjafton për të përballuar realitetin ekonomik të pensionistëve. Ata përballen çdo muaj me kosto të larta jetese, ndërsa përfitimet e tyre janë ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, Shqipëria renditet e fundit ndër 35 vende evropiane për sa i përket shpenzimeve vjetore për pensione, me vetëm 1,600 euro për frymë, krahasuar me mesataren e 16,100 eurove në Bashkimin Evropian.
Një situatë që ngre shqetësime për nevojën e një reforme më të thellë në skemën e pensioneve, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.