Incidenti në Këshillin Bashkiak të Vlorës, 27-vjeçari përballet me hetim penal

Një 27-vjeçar nga Vlora u shoqërua nga policia pasi hyri me forcë në sallën e Këshillit Bashkiak, duke ndërprerë mbledhjen dhe duke akuzuar këshilltarët për mashtrim.

Policia e Vlorës ka nisur procedurat hetimore ndaj një të riu 27-vjeçar, i cili një ditë më parë shkaktoi tensione të forta në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Sipas njoftimeve zyrtare, ai hyri pa leje në sallën e mbledhjeve, duke shpërthyer me akuza dhe ofendime ndaj anëtarëve të këshillit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 të datës 29 shtator 2025 dhe solli ndërprerjen e përkohshme të punimeve. Sipas dëshmive, i riu pretendonte se nuk ishte kompensuar për shpronësimin e pronës së tij dhe akuzoi këshilltarët për mashtrime të qëllimshme.

“Jeni të gjithë mashtruesa!” – ishte thirrja e tij, e cila u pasua nga një përplasje verbale me të pranishmit. Momenti është regjistruar edhe në video që qarkulloi me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shihet i riu duke hapur me forcë derën e sallës dhe duke thirrur “Avash ti mo!”.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të policisë, 27-vjeçari u shoqërua për verifikim. Autoritetet konfirmuan se ndaj tij u hapën procedurat për “Prishje të qetësisë publike” dhe hyrje pa autorizim në një institucion zyrtar.

Punonjësja e policisë bashkiake, A. R., 55 vjeçe, ishte ajo që bëri kallëzimin zyrtar. Ajo deklaroi se i riu ndërpreu mbledhjen për disa minuta, duke krijuar një situatë kaotike në sallë.

Materialet e rastit tashmë janë referuar në Prokurorinë e Vlorës, e cila do të vendosë mbi vijimin e procedurës ligjore. Sipas burimeve policore, hetimet do të fokusohen si tek motivet e ngjarjes, ashtu edhe tek mënyra se si 27-vjeçari arriti të hyjë në sallën e këshillit.

Ngjarja ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin publik, jo vetëm për faktin se ndodhi në një mbledhje zyrtare, por edhe për reagimin e ashpër të qytetarit, i cili pretendon se është i neglizhuar nga institucionet lokale.

Ndaj Postimin: