Shqiptari gjendet i varur në Bruksel, dyshimet për mafien ndërkombëtare

Një 29-vjeçar shqiptar u gjet i varur në një tabelë rrugore në Bruksel, një ngjarje që tronditi opinionin dhe ringjalli dyshime për lidhje me botën e krimit.

Trupi i viktimës u zbulua të dielën pranë qendrës tregtare Westland Shopping, jo larg zonës së Peterbos, e njohur për aktivitetet e trafikut të drogës. Prokuroria e Brukselit konfirmoi identitetin e tij shqiptar dhe hapi një hetim të posaçëm, duke e cilësuar rastin si të dyshimtë.

Policia Federale Gjyqësore, mjeku ligjor dhe hetuesit u angazhuan menjëherë në vendin e ngjarjes. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes, autoritetet theksojnë se rrethanat e ngjarjes tregojnë një akt dhune të skajshme që kërkon hetim të thelluar.

Burime të cituara nga gazeta La Capitale theksuan se mënyra e ekzekutimit ngjan me metodat e bandave meksikane, të famshme për dhunën e pamëshirshme ndaj rivalëve dhe tradhtarëve. Një paralajmërim i tillë i dhunshëm në një zonë të ndjeshme si Brukseli, sipas tyre, mund të sinjalizojë rritjen e tensioneve mes grupeve kriminale.

Në një intervistë për Het Laatste Nieuws, drejtori i Policisë Federale në Bruksel, Eric Jacobs, përmendi praninë e mafias së Marsejës dhe Mocro-Mafias, një organizatë e fuqishme me rrënjë veriafrikane. Ai deklaroi se grupet kriminale tashmë përdorin të njëjtat metoda: kërcënime, ekzekutime dhe frikësime për të kontrolluar tregjet ilegale.

Raportet e fundit të Drejtorisë së Policisë Federale të Drejtësisë zbulojnë se mafia në Belgjikë ka përdorur gjithnjë e më shumë taktika ekstreme. Edhe pse aktualisht nuk ka raste të hapura torturash në hetim, autoritetet kanë deshifruar komunikime sekrete që dëshmojnë ekzistencën e praktikave të tilla në nëndheshme.

Ky rast tronditës jo vetëm që ka nxitur pyetje mbi përfshirjen e viktimës në botën e krimit, por ka vënë edhe njëherë në qendër të vëmendjes sigurinë publike në Bruksel. Hetimi pritet të zbulojë nëse kemi të bëjmë me një paralajmërim mafioz apo një akt dhune individuale, por ngjarja tashmë ka ndezur alarmin për rritjen e dhunës së organizuar në zemër të Europës.

Ndaj Postimin: