Drejtoria e Tatimeve kërkon nga qytetarët të kërkojnë gjithmonë faturë tatimore, duke sqaruar dallimet mes faturave të fiskalizuara dhe atyre jo fiskalizuara.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpërndarë një video informuese ku shpjegon qartë elementët dallues të një fature të fiskalizuar. Qytetarët theksohet se duhet të kërkojnë faturë tatimore për çdo blerje ose shërbim, pasi kjo është mënyra e vetme për të garantuar një transaksion të ligjshëm dhe të regjistruar.
Sipas sqarimeve, fatura e fiskalizuar përmban Numrin Identifikues të Veçantë të Faturës (NIVF), një kod unik që lidhet drejtpërdrejt me subjektin lëshues. Po ashtu, aty gjendet edhe Numri i Sigurisë së Lëshuesit të Faturës (NSLF), i cili siguron identifikimin e saktë të biznesit që e lëshon.
Një element tjetër thelbësor është kodi QR, i cili mundëson skanimin e menjëhershëm të faturës. Nëse ky kod mungon, transaksioni nuk është i fiskalizuar, edhe pse dokumenti mund të duket vizualisht si faturë zyrtare. Ky detaj, sipas Tatimeve, është mënyra më e thjeshtë për të dalluar një faturë të rregullt nga një abuzive.
Në anën tjetër, faturat jo fiskale nuk përmbajnë asnjë nga elementët e mësipërm dhe nuk ofrojnë garanci ligjore se transaksioni është regjistruar në sistemin tatimor. Kjo krijon hapësirë për informalitet dhe shmangie të detyrimeve ndaj shtetit.
Administrata Tatimore kujton se mosmarrja e faturës dëmton jo vetëm të ardhurat publike, por edhe konkurrencën e ndershme të bizneseve, duke favorizuar abuzuesit dhe duke goditur konsumatorët e ndershëm. Për këtë arsye, qytetarët inkurajohen të kërkojnë çdo herë faturën dhe të raportojnë rastet e abuzimit në kanalet zyrtare.
Ky apel synon të forcojë transparencën, të mbrojë interesin publik dhe të ulë nivelin e ekonomisë informale, e cila mbetet një nga problemet kryesore të tregut shqiptar. Vetëm me bashkëpunim të qytetarëve, thekson Administrata, mund të garantohet një klimë e shëndetshme biznesi dhe një ekonomi e qëndrueshme.