Në një deklaratë të zëdhënëses së Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, janë hedhur akuza të rënda ndaj kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako.
Këto akuza mbështeten në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2024, i cili evidenton një seri shkeljesh serioze të administrimit financiar dhe ligjor në Bashkinë Durrës, veçanërisht gjatë vitit 2022.
Sipas raportit, Bashkia Durrës ka lejuar ushtrimin e aktiviteteve nga subjekte private në pronat shtetërore pa kontrata qiraje. Gjithashtu, janë konstatuar 34 raste ndërtimesh pa leje, për të cilat nuk janë ndjekur procedurat ligjore brenda afateve të përcaktuara për prishjen ose gjobitjen e ndërtimeve të kundërligjshme. Nga 119 vendime për prishjen e objekteve të paligjshme, vetëm 25 prej tyre janë ekzekutuar.
Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me moszbatimin e urdhrave të ekzekutimit për prishje. Në disa raste, justifikimi për mosveprim ka qenë mungesa e mjeteve të duhura, si ekskavatorët. Ndërkohë, disa vendime për dënime me gjobë vazhdojnë të mbeten të palikuiduara. KLSH ka identifikuar gjithashtu një dëm financiar prej 7.3 milionë eurosh, për të cilin nuk janë administruar dokumente që justifikojnë vlerën e pakësuar të detyrimeve.
Raporti evidenton gjithashtu abuzime me kontratat e qirasë, të cilat shpesh tejkalojnë hapësirat publike të përcaktuara, duke sjellë mungesë të ardhurash për bashkinë. Mbledhja dhe administrimi i taksave dhe tarifave vendore është kryer në shkelje të menaxhimit financiar dhe kontrolleve të nevojshme.
Në fushën e prokurimeve publike, raporti zbulon shkelje të shumta, përfshirë përllogaritje të gabuar të fondit limit, kritere të paargumentuara për kualifikim, skualifikim të padrejtë të operatorëve ekonomikë me oferta më të ulëta dhe shpallje fituese të operatorëve që nuk përmbushnin kriteret. Në auditimin e shtatë kontratave për punë publike me vlerë totale prej 2.8 milionë euro, u zbulua se punimet e ndërtimit nuk ishin kryer.
Një nga shkeljet më të rënda lidhet me menaxhimin e mbetjeve urbane. Kontrata me operatorin ekonomik “Integrated Energy BV spv” për vlerën 2.8 milionë euro pa TVSH rezulton të jetë pa specifikime teknike të qarta dhe pa peshore për mbetjet, duke hapur mundësinë për raportime fiktive dhe pagesa të pajustifikuara.
KLSH ka dhënë një sërë masash për këto shkelje, përfshirë 39 masa organizative, 7 masa për shpërblim dëmi dhe 39 masa disiplinore, që variojnë nga vërejtjet deri tek largimet nga puna dhe shërbimi civil. Megjithatë, PD thekson se këto masa nuk janë të mjaftueshme.
Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryebashkiakes Emirjana Sako dhe nisjen e një hetimi të thelluar nga SPAK për shkeljet e evidentuara nga KLSH. Sipas PD-së, këto gjetje janë dëshmi e një administrimi të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për qytetarët e Durrësit.