Gazetar: Ndriçim Gjoshi
Në sallën e Këshillit Bashkiak të Lushnjes u zhvillua një takim në kuadër të programit “Bashki të Forta”, ku morën pjesë qytetarë, drejtues të institucioneve vendore, përfaqësues të rajoneve dhe qendrave administrative, si dhe drejtues të projektit në fjalë.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të përfaqësueses së projektit “Bashki të Forta”, znj. Lindira Oshafi, e cila shpjegoi rëndësinë e këtij programi dhe theksoi moton: “Bashki të Forta, për një qeverisje më të hapur dhe të përfshirë”. Edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Lushnjes, zoti Erjet Dhima, shpalosi projektet e realizuara me vendimet e Këshillit Bashkiak dhe projektet “Bashkitë e Forta”.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Lushnjes prezantoi para të pranishmëve rregulloren e brendshme të Këshillit, projektet e realizuara deri më tani dhe projektet në vijim, duke vënë theksin te transparenca dhe bashkëpunimi me qytetarët.
Takimi u shndërrua në një bashkëbisedim konstruktiv, ku u ndanë ide, propozime dhe vërejtje, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e rolit të qytetarëve në vendimmarrje.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve për të rritur transparencën dhe përfshirjen qytetare në proceset vendimmarrëse të qeverisjes vendore.
Kamera e TV Apollon i shkëputi një intervistë koordinatorit të projektit “Bashkitë e Forta” për qarkun e Fierit, zotit Robert Murataj, i cili u shpreh për zhvillimin e këtij projekti në 6 vite, i cili zhvillohet në 61 bashkitë e vendit.