Familja mbretërore e Katarit kërkon blerjen e Bankers Petroleum

Negociatat për blerjen e Bankers Petroleum nga familja mbretërore e Katarit kushtëzohen nga detyrimet e kinezëve dhe koncesioni që skadon në vitin 2029.

Një kompani e drejtuar nga Khalid bin Mohammad Al Attiyah, ish-zv/kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm e Mbrojtjes së Katarit, po zhvillon bisedime të avancuara për të marrë kontrollin e aksioneve të Bankers Petroleum. Ai është një figurë e njohur e familjes mbretërore dhe kryeson “Thirty Five Group”, e cila ka shfaqur interes të drejtpërdrejtë për naftën e Patos-Marinzës.

Marrëveshja ende nuk ka marrë formën finale. Arsyeja lidhet me dy kushte kyçe: së pari, pala kineze duhet të pranojë shlyerjen e detyrimeve të dala nga proceset e arbitrazhit, dhe së dyti, qeveria shqiptare duhet të japë miratimin për zgjatjen e koncesionit që përfundon në vitin 2029.

Sipas skemës së diskutuar, Al Attiyah do të zotërojë shumicën e aksioneve duke marrë në dorë edhe vendimmarrjen e kompanisë. Kinezët do të vijojnë përkohësisht me pjesën teknike, por ekziston mundësia që ata të tërhiqen plotësisht nga tregu shqiptar.

Kjo lëvizje për shitjen e Bankers Petroleum erdhi menjëherë pas zhvillimeve të bujshme në drejtimin e kompanisë kineze. Prokuroria e Fierit arrestoi drejtorin ekzekutiv, Hongping Xiao, dhe ish-drejtorin shqiptar Leonidha Çobo, të akuzuar për mashtrime dhe evazion fiskal.

Pas arrestimeve, kryeministri Edi Rama u shpreh hapur se prokuroria duhet të shkojë deri në fund me hetimet. Ai theksoi se kjo kompani ka qenë prej kohësh burim problematikash dhe se është koha të dalin në pah të gjitha shkeljet.

“Është një ditë e mirë kur prokuroria punon e pavarur dhe i shkon deri në fund një çështjeje të tillë. Shpresoj që Bankers Petroleum të marrë përgjigjen që i takon,” u shpreh Rama pas zhvillimeve të fundit.

Në këtë situatë, negociatat për transferimin e aksioneve marrin një rëndësi të veçantë, duke hapur rrugën që një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit të kalojë nën kontrollin e investitorëve nga Katari.

Ndaj Postimin: