Dronët misteriozë mbi Gjermani ndezin alarm për spiunazh

Autoritetet gjermane po hetojnë praninë e dronëve në rajonin verior Schleswig-Holstein, mes dyshimeve serioze për spiunazh dhe kërcënime hibride.

Ministria e Brendshme e Gjermanisë konfirmoi se gjatë natës së të enjtes dhe të premtes janë vërejtur disa dronë duke fluturuar mbi rajonin Schleswig-Holstein. Zyrtarët thanë se po shqyrtohet mundësia që këto incidente të lidhen me akte spiunazhi, një skenar që ka ngritur tensione të reja për sigurinë kombëtare.

Ministrja e Brendshme e Schleswig-Holstein, Sabine Zitterlin-Waak, deklaroi se pas rasteve të fundit me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, është shtuar bashkëpunimi me qeverinë federale dhe ushtrinë gjermane. Ajo theksoi se policia rajonale ka forcuar masat e mbrojtjes kundër dronëve në koordinim të ngushtë me shtetet fqinje.

Edhe pse ministria nuk dha detaje mbi numrin e dronëve apo zonat e sakta të fluturimit, ngjarja ka ndezur reagime të forta politike. Zëdhënësi i SPD për sigurinë e brendshme, Niklas Dierbrück, paralajmëroi se, nëse vërtetohet spiunazhi, rreziku i kërcënimeve hibride është më serioz se kurrë.

Ai kërkoi që landet veriore të Gjermanisë, së bashku me Berlinin dhe partnerët danezë, të ndërmarrin masa të menjëhershme për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. SPD i bëri thirrje autoriteteve të informojnë Komitetin e Punëve të Brendshme dhe Çështjeve Ligjore të Bundestagut për të gjitha zhvillimet.

Dronët nuk janë një fenomen i ri për Schleswig-Holstein. Në fillim të këtij muaji, policia speciale bllokoi një anije mallrash në Kanalin Kiel që dyshohej se përdorej si bazë për fluturime të paligjshme. Hetuesit besojnë se prej saj u lëshua një dron më 26 gusht, i cili fluturoi mbi një anije luftarake gjermane dhe realizoi fotografi të ndaluara.

Ngjarjet e fundit po forcojnë frikën se rajoni verior i Gjermanisë është kthyer në një pikë të nxehtë të spiunazhit teknologjik, duke detyruar autoritetet të rrisin nivelin e vigjilencës dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Ndaj Postimin: