Gazetar: Ndriçim Gjoshi
Hedhja pa kriter e fishekzjarrëve është kthyer kohët e fundit në një shqetësim serioz për qytetarët në shumë qytete të vendit. Ky fenomen, që ndodh shpesh në orare të papërshtatshme, kryesisht në mbrëmje dhe gjatë natës, po dëmton ndjeshëm qetësinë publike, duke shqetësuar sidomos fëmijët dhe moshat e treta.
Fishekzjarrët përdoren sot jo vetëm për festa kombëtare, por edhe për ditëlindje apo gëzime familjare, duke shpërfillur rregullat e bashkëjetesës në komunitet. Në shumicën e vendeve të BE-së, përdorimi i tyre është i rregulluar rreptësisht dhe i rezervuar vetëm për raste të veçanta, me leje dhe nën mbikëqyrje. Ndërsa në Shqipëri, ato gjenden lirisht në treg dhe përdoren pa asnjë kontroll.
Edhe më shqetësues është fakti që autoritetet përgjegjëse, si dhe strukturat e kontrollit ekonomik, nuk ndërhyjnë për të ndaluar tregtimin e këtyre produkteve të rrezikshme. Në shumë raste, janë fëmijët ata që i përdorin, duke vënë në rrezik veten dhe të tjerët përreth.
Një tjetër problem shqetësues është edhe mënyra se si zhvillohen dasmat, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Autokolona makinash me boritë në maksimum bllokojnë rrugët për minuta të tëra, duke penguar qarkullimin dhe duke shqetësuar komunitetin. Zhurma tej kufijve të normales ndodh shpesh, pa asnjë ndërhyrje apo penalizim nga strukturat përgjegjëse.
Qytetarët ndihen të pambrojtur përballë këtyre fenomeneve që po dëmtojnë seriozisht cilësinë e jetës në qytet. A do të merren masa konkrete? Apo do të mbetemi peng i fishekzjarrëve dhe zhurmës që shpërfill ligjin dhe qetësinë publike?