Myrto Uzuni shënoi gol vendimtar në minutat shtesë ndaj Siatëllit, duke siguruar fitoren e Austin dhe përzgjedhjen e tij në ekipin e javës së MLS.
Myrto Uzuni po konfirmon veten si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Austin në kampionatin amerikan. Në javën e 35-të të MLS, sulmuesi shqiptar vulosi fitoren 2-1 të skuadrës së tij ndaj Siatëllit me një gol të realizuar në minutën e 96-të.
Falë këtij momenti vendimtar, MLS e përfshiu Uzunin për herë të tretë në ekipin e javës, duke e vlerësuar kontributin e tij vendimtar për klubin. Edhe këtë radhë, ai u përzgjodh si pjesë e stolit të zëvendësuesve, në një skuadër të mbushur me emra të mëdhenj.
Në formacionin titullar të javës, repartin e sulmit e kryesuan yjet botërorë Lionel Messi dhe Heung-min Son. Krahas tyre, në listën e zëvendësuesve ishin emra të tillë si Miguel Almiron dhe Christian Benteke, duke i dhënë edhe më shumë peshë përfshirjes së Uzunit.
Për sulmuesin shqiptar, ky ishte goli i pestë në shtatë ndeshjet e fundit si titullar, një statistikë që e tregon qartë formën e tij të shkëlqyer dhe rritjen e ndikimit te Austin.
Me këtë ritëm, Uzuni po bëhet gjithnjë e më shumë një faktor vendimtar për skuadrën e cila synon të sigurojë pjesëmarrjen në fazën play-off të Konferencës së Perëndimit. Paraqitjet e tij kanë rritur optimizmin e tifozëve, të cilët shohin tek ai një lojtar që mund të bëjë diferencën në momentet vendimtare.
Në vetëm pak muaj nga mbërritja në SHBA, Uzuni ka treguar se është gati të shkëlqejë përballë yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, duke vendosur emrin e tij mes protagonistëve të MLS.