Një nënë sfidon paragjykimet për djalin transgjinor

Një nënë shqiptare rrëfen dhimbjen dhe forcën për të mbrojtur djalin transgjinor mes paragjykimeve, urrejtjes dhe padrejtësive që e rrethuan shoqërisht.

Një nënë shqiptare ka vendosur të ndajë publikisht historinë e djalit të saj transgjinor, duke shpjeguar përballjet e tij me paragjykimin, dhimbjen dhe mungesën e pranimit shoqëror. Letra e saj është bërë publike përmes aktivistes Xheni Karaj, si një thirrje për respektim të të drejtave dhe barazisë.

Në rrëfimin e saj prekës, ajo kujton se djali i saj lindi vajzë, por për vite të tëra jetoi i burgosur në një trup që nuk e ndiente si të vetin. Sipas saj, vetëm pas shumë vitesh ai pati guximin dhe forcën shpirtërore të jetonte i lirë si djalë, duke përballuar paragjykime të ashpra dhe një shoqëri shpeshherë të pamëshirshme.

Ajo pranon se fillimisht reagoi me tronditje, pasiguri dhe frikë, pasi kishte ëndërruar e planifikuar një jetë tjetër për fëmijën e saj. Megjithatë, leximi, studimi dhe njohja me realitetin biologjik e shkencor e ndihmuan të kuptonte dhimbjen e thellë të djalit, i cili përballej çdo ditë me pasqyra të thyera dhe fjalë denigruese që e quanin “gabim të natyrës”.

Në letrën e saj, ajo përshkruan zemërimin dhe vendosmërinë për t’u bërë mburojë e pathyeshme për djalin. “Ky është misioni ynë si prindër,” shkruan ajo, “të jemi krah tyre pa kushte, me dashuri dhe mbështetje të pakufizuar.” Ajo thekson se identiteti gjinor dhe orientimi seksual nuk janë as fazë e përkohshme, as kapriço, as modë.

Me tone të ashpra, ajo kritikon gjuhën e urrejtjes që shpesh dëgjohet nga figura publike, duke i bërë thirrje atyre të përdorin fjalët me përgjegjësi. Për të, është e papranueshme që dikush të flasë për fëmijë të tillë si “rrezik” apo “mikrob” që “infekton” të tjerët. Ajo i kujton opinionit publik se pas çdo fjale të tillë fshihet jeta dhe shpresa e një njeriu të brishtë.

Në fund, ajo apelon që shoqëria të ndërgjegjësohet dhe të heqë dorë nga paragjykimi. “Kemi ardhur në këtë jetë për të dhënë e marrë dashuri, jo për t’i shtyrë fëmijët tanë drejt dëshpërimit pa kthim,” shkruan ajo. Ky mesazh mbetet një thirrje e fuqishme për respekt, humanizëm dhe mbrojtje të dinjitetit njerëzor.

Ndaj Postimin: