Dronët që u shfaqën në hapësirën ajrore të Kopenhagenit detyruan autoritetet daneze të mbyllin aeroportin kryesor, duke devijuar disa fluturime dhe krijuar kaos për pasagjerët.
Aeroporti i Kopenhagenit, një nga nyjet më të mëdha ajrore në Skandinavi, u mbyll papritur pasi u raportua prania e dronëve mbi zonën ajrore. Incidenti ndodhi mbrëmjen e sotme dhe solli ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve.
Sipas burimeve zyrtare, autoritetet daneze aktivizuan masat e sigurisë menjëherë, duke urdhëruar pezullimin e të gjitha ngritjeve dhe uljeve të planifikuara. Kjo ndodhi rreth orës 20:26 sipas kohës lokale.
Faqja e specializuar Flightradar, që monitoron trafikun ajror në kohë reale, raportoi se aeroporti nuk lejoi asnjë fluturim të vazhdonte itinerarin e tij deri në një njoftim të dytë.
Të paktën 11 avionë u detyruan të devijonin drejt aeroporteve të tjera në rajon, duke shkaktuar vonesa dhe shqetësime për qindra pasagjerë.
Aeroporti i Kopenhagenit ndodhet vetëm pak kilometra nga kufiri me Suedinë, çka e bën situatën edhe më të ndërlikuar për autoritetet e sigurisë.
Hetimet pritet të zbardhin burimin e dronëve dhe qëllimin e pranisë së tyre, ndërsa pasagjerët u këshilluan të ndjekin njoftimet zyrtare për oraret e reja të fluturimeve.


