Ish-trajneri i Partizanit bëhet pjesë e stafit të Ronaldos te Al Nasr

Marko Sampaio, ish-trajneri i përkohshëm i Partizanit në vitin 2014, është sot përgatitësi atletik që mban në formë Kristiano Ronaldon te Al Nasr.

Portugezi Marko Sampaio rikthehet në kujtesën e tifozëve të Partizanit. Në vitin 2014, ai u ul për disa ndeshje në stolin e “demave të kuq”, në sezonin e parë të klubit pas rikthimit në elitën e futbollit shqiptar.

Sot, 46-vjeçari ka një tjetër mision të madh. Që nga vera e këtij viti, ai është pjesë e stafit të Al Nasr në Arabinë Saudite, klub ku luan ylli portugez Kristiano Ronaldo. Roli i tij është përgatitës atletik, një detyrë që e bën një nga njerëzit më të rëndësishëm.

Vetë Sampaio e ka ndarë këtë përvojë në rrjetet sociale me një mesazh motivues: “Në të njëjtën rrugë, me të njëjtin pasion: Vrapo sot për të fituar nesër”. Në fotografinë që publikoi shihet krah për krah me Ronaldon, duke treguar edhe kontributin e drejtpërdrejtë në formën e shkëlqyer të sulmuesit.

Në mediat sportive të Lindjes së Mesme, Sampaio njihet si “përgatitësi i monstrave”. Ky etiketim lidhet me përvojën e tij të mëparshme në disa prej klubeve më të mëdha si Flamengo, Benfica dhe Al Hilal. Rezultatet e arritura atje e kanë bërë një figurë shumë të vlerësuar në futbollin modern.

Madje, raportimet nga Arabia thonë se rënia fizike e Al Hilalit ndodhi pikërisht pas largimit të Sampaio-s, duke e konfirmuar edhe më shumë ndikimin e tij. Për këtë arsye, Al Nasr e konsideron si një “armë sekrete” që e ndihmon Ronaldon të ruajë intensitetin në nivelet më të larta.

Historia e Marko Sampaio-s është një shembull i qartë se si një trajner që dikur drejtonte një klub shqiptar, sot ka arritur të jetë pjesë e elitës së futbollit botëror, duke punuar me një prej lojtarëve më të mëdhenj të historisë.

Ndaj Postimin: