Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e cilëson njohjen nga Britania si një hap historik drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka përshëndetur vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke e quajtur këtë një moment kyç në rrugën drejt paqes. Në një deklaratë të presidencës palestineze, ai theksoi se ky hap është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë të konfliktit.
Njohja nga Londra erdhi si pjesë e një vendimi të koordinuar me Australinë dhe Kanadanë, në një periudhë kur lufta në Gaza ka ndezur edhe më shumë tensionet në rajon. Të tre shtetet deklaruan se ky veprim synon të forcojë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Australia ishte e para që shpalli vendimin, duke bërë një kthesë historike në politikën e saj të jashtme. Kryeministri Anthony Albanese njoftoi se vendimi hyri në fuqi të dielën dhe synon të hapë rrugën për një armëpushim në Gaza, si dhe për lirimin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.
“Ne e njohim legjitimitetin dhe aspiratat e popullit palestinez për një shtet të vetin. Hamasi nuk duhet të ketë kontroll mbi këtë shtet,” deklaroi Albanese, duke sqaruar se njohja nuk nënkupton mbështetje për grupet militante.
Kanadaja u bashkua po ashtu me këtë vendim, me një deklaratë nga zyra e kryeministrit Mark Carney, ku thuhej se qeveria izraelite po punon sistematikisht për të penguar krijimin e një shteti palestinez. Sipas deklaratës, angazhimi i Kanadasë për një zgjidhje me dy shtete është i hershëm dhe kjo njohje vjen për të përshpejtuar këtë proces.
Në Londër, Kryeministri Keir Starmer shpalli njohjen e shtetit palestinez, duke e konsideruar këtë vendim si të domosdoshëm për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Ai konfirmoi se veprimi u ndërmor në koordinim me Australinë dhe Kanadanë për të dërguar një mesazh të qartë politik.
Ky zhvillim historik është parë si një fitore diplomatike për palestinezët dhe një presion i ri mbi Izraelin, i cili kundërshton fuqishëm njohjen e një shteti palestinez pa negociata të drejtpërdrejta. Analistët mendojnë se ky hap do të rrisë trysninë ndërkombëtare për një proces paqeje gjithëpërfshirës.