Erisa Xhixho: “Buxheti 2025, një goditje e re për shtresat e varfra dhe pensionistët”

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin e vitit 2025, duke e cilësuar atë si një plan që thellon më tej varfërinë dhe favorizon oligarkët.

Në një deklaratë për mediat, ajo akuzoi qeverinë se ka ndarë fondet në mënyrë që të përfitojnë klientët e saj, ndërsa shtresat në nevojë dhe pensionistët mbeten të braktisur.

Sipas Xhixhos, shuma e parashikuar prej 777.2 miliardë lekësh për projektet PPP është një tjetër dëshmi e korrupsionit të thellë në shpërndarjen e fondeve publike. Ajo theksoi se këto projekte, të cilat sipas saj janë të mbushura me afera korruptive, rëndojnë mbi qytetarët e zakonshëm.

Në kontrast, për pensionistët, qeveria ka planifikuar një indeksim prej vetëm 4.1%, një masë që Xhixho e cilësoi “tallëse”. Ajo përmendi se pensionet mesatare në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon, duke i krahasuar me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

“Indeksimi me 4.1% është një fyerje për pensionistët tanë, krahasuar me rritjen prej 20% që qeveria Kurti në Kosovë ka arritur me një buxhet përgjysmë më të vogël se ai i Shqipërisë,” tha ajo.

Zv. Presidentja e PL-së pohoi se Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së për ushqimet bazë në rajon, 20%, ndërsa vendet fqinje aplikojnë norma shumë më të ulëta. “Kjo është një barrë e rëndë që qytetarët shqiptarë mbajnë çdo ditë, ndërkohë që qeveria nuk u kthen asgjë mbrapsht,” theksoi Xhixho.

Duke iu referuar të dhënave nga Eurostat, Xhixho ngriti alarmin për nivelin e lartë të varfërisë mes pensionistëve shqiptarë, që arrin deri në 69%, më i larti në rajon. Ajo shtoi se nga viti 2013 e deri më sot, pensionet kanë humbur 30% të fuqisë blerëse për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së rritjes reale.

Xhixho kritikoi gjithashtu buxhetin për uljen e fondeve për ndihmën ekonomike, duke e quajtur një veprim të papranueshëm që prek më të varfrit. Sipas saj, ndërkohë që fondet për shtresat në nevojë dhe të papunët pakësohen, shpenzimet e luksit për qeverinë janë rritur me 3.9%.

Shëndetësia

Në sektorin e shëndetësisë, Xhixho vuri në dukje se fondi prej 2.5% të PBB-së nuk është i mjaftueshëm për të përmirësuar shërbimet. Ajo akuzoi qeverinë se po vazhdon të injorojë skandalet në shëndetësi, si ai i Onkologjikut, dhe se shqiptarët vazhdojnë të paguajnë nga xhepi 60% të shpenzimeve shëndetësore.

Arsimi është një tjetër sektor ku buxheti i ri, sipas Xhixhos, dështoi të sjellë përmirësime. Ajo shprehu shqetësimin për uljen e fondeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke theksuar se këto politika do të çojnë në një krizë më të thellë të sistemit arsimor në Shqipëri.

Duke iu referuar tragjedisë së fundit në shkolla, Xhixho tha se mungesa e investimeve në sigurinë e institucioneve arsimore është një kambanë alarmi për qeverinë. “Rasti tragjik i 14-vjeçarit Martin është prova më e qartë e dështimit të qeverisë për të mbrojtur fëmijët tanë,” tha ajo.

Në përfundim, Xhixho deklaroi se buxheti i vitit 2025 është një plan që favorizon oligarkët dhe klientët e qeverisë, ndërsa qytetarët shqiptarë mbeten pa shërbime bazë, arsim cilësor dhe mbështetje sociale. Ajo premtoi se Partia e Lirisë do të propozojë amendime për të kthyer këtë buxhet në shërbim të qytetarëve.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera