Mbledhja vendimtare për fatin e Erion Veliajt, PD e kërkon në mbledhjen e këshillit bashkiak

Opozita kërkon praninë e Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke theksuar se ai duhet të dëgjohet para vendimit për shkarkimin nga detyra.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, deklaroi se kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të jetë i pranishëm në seancën e së martës, kur pritet të shqyrtohet shkarkimi i tij. Sipas Telitit, përpara çdo vendimi, Veliaj duhet të ketë të drejtën të dëgjohet.

Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse do të lejohet që Veliaj të dalë nga paraburgimi për të folur para këshilltarëve. “Fjala e Veliaj apo leja e qeverisë?” – shkroi Teliti në një postim në rrjete sociale, duke nënkuptuar se vendimi nuk është vetëm ligjor, por edhe politik.

Opozita, sipas Telitit, jo vetëm që nuk frikësohet nga një paraqitje e Veliajt, por e kërkon atë ballë për ballë për t’i shpjeguar qytetarëve dëmet dhe korrupsionin e akumuluar gjatë dhjetë viteve të fundit në krye të bashkisë.

Për Telitin, dilema qëndron te qëndrimi i qeverisë: a do ta lejojë ajo fjalën e Veliajt, apo do ta mbajë të izoluar nga frika se mund të ekspozojë skenarët e pushtetit? “Një fjalë e vetme jashtë propagandës mjafton të prishë gjithë shfaqjen,” theksoi ai.

Vetë Veliaj një ditë më parë i ishte drejtuar këshilltarëve të Tiranës me një kërkesë që t’i jepet mundësia të marrë pjesë në mbledhje. Ai shpjegoi se mungesa e tij për më shumë se gjashtë muaj nuk ishte e qëllimshme, por rezultat i një mase sigurie që e konsideron disproporcionale.

Në kërkesën e tij, Veliaj deklaroi se vendimi gjyqësor i ka ndërprerë padrejtësisht mandatin kushtetues dhe paralajmëroi se do ta ankimojë atë në çdo instancë, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai shtoi se përgjegjësia nuk është e Partisë Socialiste apo e këshilltarëve, por e një vendimmarrjeje gjyqësore që e ka bllokuar padrejtësisht.

Ndaj Postimin: