Arrestohen dy vëllezërit Bushgjoka për vrasjen e Renis Dobrës

Dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka u kapën në Tiranë për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, pas një operacioni policor në kryeqytet.

Policia e Tiranës ka prangosur dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të shpallur në kërkim për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të muajve të fundit. Arrestimi i tyre u krye në orët e para të mëngjesit pranë kompleksit “Delijorgji”, ku të dy po fshiheshin.

Dy të dyshuarit akuzohen si autorë të rrëmbimit dhe më pas ekzekutimit të Renis Dobrës në zonën e Ulzës. Sipas hetuesve, viktima u mbyt me litar dhe trupi i tij u hodh në liqenin e Shkopetit, duke u përpjekur të zhduknin gjurmët.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik për mënyrën makabre të ekzekutimit, ndërsa hetimet e deritanishme kanë treguar se në krim janë përfshirë katër persona. Dy prej tyre, Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakri, u arrestuan disa ditë më parë dhe ndodhen tashmë në paraburgim.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se ndjekja e gjurmëve të telefonatave dhe kamerave të sigurisë çoi në lokalizimin e Kristit dhe Aleksandrit, duke i vënë ata në pranga pa rezistencë.

Hetuesit po verifikojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë ngjarje kriminale, duke paralajmëruar se operacionet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Familjarët e viktimës kanë kërkuar drejtësi të shpejtë, duke theksuar se çdo vonesë është një dhimbje e re për ta. Prokuroria dhe policia kanë theksuar se dosja po hetohet me prioritet dhe do të shkojë shumë shpejt në gjykatë.

Ndaj Postimin: