Xhenoa ndjek nga afër Kristian Shpendin

Sulmuesi shqiptar i Çezenës po shkëlqen në Serie B dhe ka tërhequr interesin e Xhenoas, që po e monitoron me seriozitet për një kalim në elitën italiane.

Kristian Shpendi po përjeton një periudhë të artë në kampionatin italian me fanellën e Çezenës. Vetëm 22 vjeç, ai ka arritur të shënojë 2 gola në 3 ndeshjet e para të sezonit, duke u shndërruar në një pikë kyçe të skuadrës së tij.

Forma e mirë e sulmuesit kuqezi nuk ka kaluar pa u vënë re. Sipas mediave italiane, Xhenoa ka filluar të shfaqë interes konkret për të, duke e vendosur atë në listën e objektivave për merkaton e ardhshme.

Drejtori sportiv i klubit gjenovez, Marko Otolini, ishte i pranishëm në ndeshjen mes Sampdorias dhe Çezenës, ku e ndoqi nga afër paraqitjen e Shpendit. Performanca e tij u vlerësua pozitivisht, duke forcuar bindjen se ai ka potencial për të bërë hapin e madh.

Ndërkohë, Shpendi ka fituar së fundmi edhe fanellën e kombëtares shqiptare, ku debutoi pak ditë më parë, duke shtuar vlerën dhe reputacionin e tij. Ky kombinim suksesi në klub dhe kombëtare e bën edhe më tërheqës për skuadrat e Serisë A.

E ardhmja e 22-vjeçarit mbetet e hapur, por pritshmëritë janë që gjatë merkatos së janarit ose në verën e ardhshme, emri i tij të përmendet fort në tregun italian.

Nëse transferimi tek Xhenoa realizohet, ai do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm për karrierën e një lojtari që po konfirmon me shpejtësi talentin e tij në futbollin italian.

Ndaj Postimin: