Punonjësit e administratës publike fituan mesatarisht gati 21 mijë lekë më shumë në muaj se ata të sektorit privat gjatë vitit 2024.
Hendeku i pagave ndërmjet shtetit dhe privatit është zgjeruar ndjeshëm në vitin 2024. Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror arriti në 92,069 lekë, ndërsa në privat mbeti në 71,179 lekë. Diferenca u rrit në 20,890 lekë, që përfaqëson rreth 22.7%.
Kjo përplasje e fortë e shifrave lidhet kryesisht me reformën e pagave të ndërmarrë nga qeveria, e cila solli rritjen më të madhe të dekadës në administratë. Sektori publik përfitoi shtesa të konsiderueshme për të mbajtur profesionistët në fusha si arsimi, shëndetësia dhe drejtësia, ndërsa privatët nuk arritën të ndiqnin ritmin.
Në vitin 2014, diferenca mes dy sektorëve ishte 20.8%, por gradualisht u thellua. Në 2018 hendeku u rrit në 25%, ndërsa në vitin 2021 diferenca qëndroi mbi 24%. Vetëm në vitin 2022 sektori privat arriti ta ngushtonte përkohësisht në 16.8%, falë presionit të emigracionit dhe konkurrencës së tregut.
Në vitet 2023 dhe 2024 situata ndryshoi sërish. Administrata shtetërore përfitoi rritje të forta, duke e rritur përsëri diferencën. Në 2023, paga mesatare në shtet ishte 81,887 lekë, ndërsa në privat 65,566 lekë, një hendek prej gati 20%.
Ndërkohë, bizneset private – veçanërisht ato të vogla dhe të mesme – u përballën me vështirësi të shumta. Inflacioni, shtrenjtimi i burimeve dhe rënia e kërkesës e bënë të pamundur që të mbajnë të njëjtin ritëm me shtetin, duke forcuar idenë se puna në administratë mbetet më e favorshme.
Megjithëse të dy sektorët kanë parë rritje të vazhdueshme pagash në dekadën e fundit, dinamika e ndryshme ka krijuar një pabarazi të re që po ushtron presion mbi tregun e punës. Për punonjësit, zgjedhja midis shtetit dhe privatit po bëhet çdo vit më shumë një çështje sigurie financiare.