Një grup investitorësh izraelitë ka nisur procedurat për hapjen e bankës së parë dixhitale në Shqipëri, duke përzgjedhur drejtues me përvojë dhe duke rekrutuar staf lokal.
Grupi përfaqësohet nga Gal Bar Dea, ish-drejtor ekzekutiv i One Zero Digital Bank, i cili ka nisur tashmë procesin e punësimit të stafit shqiptar. Drejtuese e përgjithshme e bankës pritet të jetë Fatbardha Rino, një emër i njohur me eksperiencë të gjatë në sektorin fintech dhe bankingun dixhital.
One Zero, e themeluar në Izrael në vitin 2019 nga Amnon Shashua, krijuesi i Mobileye, u drejtua deri pak kohë më parë nga Gal Bar Dea. Ai dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar pas pezullimit të planeve për zgjerimin e bankës në Itali.
Tashmë, grupi i investitorëve ka vendosur të sjellë modelin e One Zero në Shqipëri, duke synuar që vendi të shndërrohet në një pikënisje të re për bankingun dixhital në rajon.
Burime pranë Bankës së Shqipërisë kanë konfirmuar interesin e grupit izraelit për hapjen e një banke të tillë. Megjithatë, theksohet se aktualisht nuk është marrë ende një vendim për dhënien e licencës.
Në Shqipëri aktualisht operojnë 11 banka, ndërkohë që pak javë më parë Banka e Shqipërisë licencoi institucionin e 12-të, bankën turke Ziraat. Hapja e një banke dixhitale nga investitorët izraelitë do të sillte një risi të madhe në tregun financiar vendas.
Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm për modernizimin e shërbimeve financiare dhe zgjerimin e opsioneve për qytetarët shqiptarë, të cilët do të kenë qasje më të lehtë në produkte dhe shërbime tërësisht online.