Tragjedi në Milano pas tentativës së një 70-vjeçari për vetëvrasje

Një 70-vjeçar në Milano u hodh nga ballkoni për t’i dhënë fund jetës, por ra mbi një 83-vjeçare që humbi jetën në vend.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Milanos, duke tronditur komunitetin lokal. Një burrë 70-vjeç tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga kati i katërt i banesës ku jetonte.

Por tentativa e tij përfundoi në një tragjedi të papritur. Në vend që të binte në trotuar, ai ra mbi një grua 83-vjeçare që po kalonte poshtë banesës. Gruaja nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetën menjëherë në vendngjarje.

Ndërkohë, 70-vjeçari mbeti i plagosur rëndë, por i gjallë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan se gjendja e tij është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të kuptuar arsyet që çuan burrin drejt këtij veprimi ekstrem.

Tragjedia ka ngjallur reagime të forta në lagjen ku ndodhi, ndërsa fqinjët shprehen të tronditur nga fati i rëndë që goditi të moshuarën krejt rastësisht.

Ndaj Postimin: