Diella, ministrja e parë virtuale në Shqipëri, ka ndezur debat mbi transparencën, ligjshmërinë dhe ndikimin e teknologjisë në politikë dhe administratë publike.
Diella, e shpallur si ministre e Prokurimeve Publike në qeverinë “Rama 4”, ka bërë jehonë të madhe si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ajo u prezantua si simbol i një epoke të re digjitale, por pas kësaj figure futuriste qëndron një emër i njohur: aktorja Anila Bisha.
Bisha i ka dhënë jo vetëm zërin, por edhe imazhin e saj Diellës, duke e kthyer ministren virtuale në një figurë më të besueshme për publikun. Megjithatë, ky fakt ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi arsyet e këtij bashkëpunimi dhe mbi mesazhin që përçon zgjedhja e saj.
Dekretimi i Diellës nga Presidenti i Republikës ka ndezur një tjetër debat të ashpër, këtë herë juridik. Kushtetuta nuk njeh ministra që nuk ekzistojnë fizikisht, ndaj ky veprim është cilësuar i paprecedentë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të krijojë një precedent të rrezikshëm mbi rolin e inteligjencës artificiale në administratën shtetërore.
E paraqitur si “revolucion” nga kryeministri Edi Rama dhe AKSHI, Diella shitet si ura e re e komunikimit mes shtetit dhe qytetarit. Por kritikët e shohin si një teatër politik, ku një avatar fshihet pas mungesës së transparencës dhe përgjegjësisë. Një “lojë me kukulla” e rrezikshme, ku qytetarët marrin shfaqjen, por jo thelbin.
Anila Bisha ka qenë e lidhur dikur me opozitën, si zëdhënëse e Lulzim Bashës dhe bashkëshorte e një ish-deputeti të djathtë. Ajo ka qenë gjithashtu kritike e hapur ndaj qeverisë, duke akuzuar publikisht kryebashkiakun Erion Veliaj për prishjen e Teatrit Kombëtar në vitin 2020. Tani, paradoksalisht, është fytyra e ministres së një qeverie socialiste.
Ky kontrast mes së shkuarës dhe së tashmes e bën edhe më të dyshimtë zgjedhjen e saj. A është ky një eksperiment i përkohshëm për të qetësuar opinionin publik apo një projekt serioz që do të shënojë fillimin e një epoke të re qeverisjeje? Pyetjet mbeten pa përgjigje.
Në fund, dilema më e madhe është përgjegjësia: kush do të mbajë llogari për vendimet kur ministër është një avatar? A do të mundet SPAK të thërrasë një figurë virtuale, apo do të jetë kjo mënyra më e sofistikuar për t’i shpëtuar ndëshkimit politik dhe ligjor?