Trump kushtëzon NATO-n për sanksione ndaj Rusisë dhe Kinës

Donald Trump deklaron se NATO duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të vendosë tarifa mbi produktet kineze, përndryshe lufta në Ukrainë nuk mbaron.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë një mesazh të fortë përmes platformës Truth Social, duke paralajmëruar vendet e NATO-s se koha e tolerancës ndaj Rusisë dhe Kinës ka mbaruar. Ai tha se është gati të vendosë sanksione të reja të rënda kundër Moskës, me kusht që aleatët të heqin dorë nga nafta ruse.

Trump theksoi se disa shtete të NATO-s vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia, gjë që sipas tij dobëson pozicionin e tyre në tryezën e negociatave. “Është tronditëse që disa vende nuk e kanë ndalur ende këtë praktikë”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo politikë e brishtë e aleancës i jep avantazh të qartë Kremlinit.

Përveç kësaj, Trump kërkoi që të vendosen tarifa doganore nga 50% deri në 100% mbi produktet e importuara nga Kina. Këto masa, sipas tij, do të dobësonin ndikimin ekonomik të Pekinit mbi Rusinë, duke e izoluar Moskën edhe më shumë nga mbështetja ndërkombëtare.

Në komentet e tij, Trump nuk kurseu kritika as për ish presidentin Joe Biden dhe kreun ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai tha se konflikti në Ukrainë “nuk do të kishte shpërthyer kurrë” po të ishte ai në vendin e Biden. “Kjo është lufta e Biden dhe Zelenskyt”, shtoi ai, duke e konsideruar veten si njeriun që mund ta ndalë gjakderdhjen.

Trump deklaroi se është i gatshëm të ndërhyjë për t’i dhënë fund luftës, duke pretenduar se vetëm javën e fundit janë vrarë mbi 7 mijë persona. Ai nuk dha burim për këto shifra, por e përdori këtë argument për të treguar urgjencën e veprimit.

“Nëse NATO ndjek udhëzimet e mia, kjo luftë do të përfundojë shpejt dhe mijëra jetë do të shpëtohen”, nënvizoi ai. “Nëse jo, atëherë po humbni kohën time dhe të Amerikës, energjinë dhe paratë tona”, paralajmëroi Trump me tone të ashpra.

Ai e mbylli mesazhin me deklaratën se është “vetëm për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve ruse dhe ukrainase”, duke lënë të kuptohet se do të vijojë presionin ndaj NATO-s për të zbatuar planin e tij.

Ndaj Postimin: