Liqeni i Tiranës rrezikohet nga ndotja e pakontrolluar

Shkarkimet e ujërave të ndotura po e dëmtojnë rëndë Liqenin Artificial të Tiranës, ndërsa institucionet vendore dhe qendrore dështojnë të marrin masa konkrete për mbrojtjen e tij.

Auditimi i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se ujërat e liqenit ndoten prej kohësh nga shkarkime të paligjshme, pa u ndaluar nga institucionet përgjegjëse. Raporti ngre alarmin për mungesën e koordinimit dhe zvarritjen e veprimeve konkrete.

Sipas audituesve, që në tetor 2024 është evidentuar se ujërat urbane të patrajtuara derdhen në liqen, por përveç shkresave administrative, asnjë hap praktik nuk është ndërmarrë për të parandaluar ndotjen. As shkaqet e ndotjes dhe as përgjegjësit nuk janë identifikuar plotësisht.

Dokumenti thekson se Parku i Madh i Liqenit nuk është i lidhur me rrjetin e kanalizimeve. Për pasojë, subjektet që operojnë brenda parkut përdorin zgjidhje individuale, kryesisht gropa septike, të cilat nuk monitorohen nga askush.

Edhe vetë UKT dhe institucionet bashkiake nuk kanë të dhëna të qarta për numrin dhe mënyrën e funksionimit të subjekteve private. Raporti zbulon mospërputhje të të dhënave: UKT flet për 10 subjekte, Agjencia e Parqeve për 14, ndërsa verifikimet në terren tregojnë se janë më shumë.

Kjo situatë e pasigurt dhe mungesa e monitorimit rrit rrezikun e ndotjes së pandalshme. TV Apollon vëzhgoi dhe e denoncoi këtë situatë disa muaj më parë, një vëzhgim i cili është pasuar nga raporte të njëpasnjëshme dhe shkrime në portalet e tjera online. Audituesit theksojnë se një pjesë e madhe e këtyre subjekteve vazhdojnë të operojnë pa standarde dhe jashtë kontrollit institucional.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të nisë menjëherë monitorimin e ujërave sipas programeve kombëtare dhe të informojë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Bashkinë e Tiranës, mbi rezultatet.

Përveç kësaj, raporti kërkon krijimin e një grupi të posaçëm ndërinstitucional mes bashkisë, agjencive mjedisore dhe strukturave të tjera përkatëse për të evidentuar dhe ndaluar të gjitha shkarkimet ilegale.

Grupi duhet të identifikojë pikat e shkarkimit të ujërave të përdorura, të përfshijë edhe ato të evidentuara nga audituesit, dhe të ndjekë rrjetin e kanaleve për të zbuluar derdhjet e jashtëligjshme.

Një tjetër detyrë urgjente është ndërprerja e menjëhershme e lidhjeve të paligjshme dhe marrja e masave administrative ndaj subjekteve ndotëse, sipas parashikimeve ligjore.

Raporti e bën të qartë se Liqeni Artificial i Tiranës, si pjesë e vetme e mushkërisë së gjelbër të kryeqytetit, nuk mund të mbrohet pa veprime të koordinuara dhe të menjëhershme nga institucionet.

Nëse situata vazhdon kështu, qytetarët rrezikojnë të humbasin një nga hapësirat më të rëndësishme të rekreacionit dhe mjedisit në Tiranë.

Ndaj Postimin: