Daku flet për sfidën në Beograd

Mirlind Daku analizon fitoren ndaj Letonisë, pranon presionin te Kombëtarja dhe zgjedh një gol në Beograd para çdo finaleje me klubin.

Shqipëria doli fituese me rezultatin minimal 1-0 ndaj Letonisë, falë penalltisë së kthyer në gol nga Kristjan Asllani. Mirlind Daku ndau përshtypjet e tij duke folur për ndeshjen, presionin në Kombëtare dhe përballjen e ardhshme me Serbinë në Beograd.

Sulmuesi shqiptar pranoi se loja nuk ishte bindëse, por theksoi rëndësinë e tre pikëve. “Ishte ndeshje e vështirë, Letonia është ekip i fortë dhe i organizuar. Nuk është e lehtë të fitosh, ndaj jemi të kënaqur që morëm tri pikë të vlefshme,” tha ai, duke shtuar se shpreson për lojë më të mirë në sfidat e ardhshme.

Përballja me Serbinë u vlerësua si një test shumë i rëndësishëm. “Sigurisht që Serbia është më e fortë, por do të hyjmë me qasje tjetër. Sa të kemi mundësi, do të luftojmë për ëndrrën tonë si skuadër,” deklaroi Daku, duke lënë të kuptohet se kuqezinjtë synojnë kualifikimin në Botëror.

Sa i përket përgatitjeve për ndeshjen e Beogradit, ai tregoi qetësi. “E pres si çdo ndeshje tjetër. Dua të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën për të marrë një tjetër fitore që na afron me objektivin,” tha Daku me vendosmëri.

I pyetur mbi zgjedhjen mes një goli në finale me klubin dhe një goli në Beograd, ai nuk ngurroi të jepte përgjigje të prerë: “Normalisht zgjedh golin e fitores në Beograd.”

Daku u ndal edhe te presioni i lojës me Kombëtaren krahasuar me eksperiencën në Rusi. Sipas tij, diferenca është e madhe. “Te Kombëtarja presioni është ndryshe. Atje mi njohin kualitetet, ndërsa këtu duhet të tregosh çdo ndeshje. Nuk është e lehtë, por më e rëndësishme është të ndihmoj skuadrën, jo thjesht të shënoj,” tha sulmuesi kuqezi.

Ai përfundoi duke theksuar se, edhe pse gjithmonë goli nuk vjen, kontributi i tij do të mbetet për skuadrën. Për Dakun, fitorja dhe rruga drejt Botërorit kanë më shumë vlerë sesa statistikat personale.

Ndaj Postimin: