Edon Zhegrova prezantohet te Juventusi me entuziazëm, por konfirmon mungesën ndaj Interit, ndërsa premton fanellë për kryeministrin Rama.
Edon Zhegrova u shfaq dje për herë të parë para mediave si futbollisti më i ri i Juventusit. Sulmuesi shqiptar, që ka zgjuar interes të madh në Itali dhe Kosovë, shprehu lumturinë për këtë hap të rëndësishëm në karrierë. Megjithatë, ai dha edhe lajmin e keq: nuk do të jetë pjesë e derbit të Italisë kundër Interit.
Në fjalët e para, Zhegrova u tregua i qartë mbi arsyen e zgjedhjes. “Juventusi më bindi. Projekti është serioz, skuadra ka shumë cilësi dhe e ndiej se mund të jap kontributin tim,” tha ai, duke theksuar se është pritur me ngrohtësi që në ditët e para.
Sa i përket gjendjes fizike, sulmuesi pranoi se ende nuk është plotësisht gati. “Kam kaluar një periudhë të vështirë, por tani ndihem më mirë. Stafi më ndihmon çdo ditë dhe shumë shpejt do të jem në formë të plotë,” theksoi ai.
Pyetjes mbi mundësitë për titull, Zhegrova iu përgjigj me realizëm. Sipas tij, Juventusi ka potencial të madh dhe çdo ndeshje do të trajtohet me seriozitet maksimal. “Do të përpiqemi të fitojmë gjithçka, pastaj do ta shohim hap pas hapi,” tha ai.
Një moment që ngjalli interes ishte edhe premtimi për një dhuratë speciale. “Edi Rama është një tifoz i madh i Juventusit. Jam mirënjohës për mbështetjen dhe do t’ia dhuroj fanellën time,” u shpreh sulmuesi shqiptar, duke treguar lidhjen e tij me komunitetet shqiptare.
Në lidhje me të kaluarën, Zhegrova kujtoi emocionet kur përballej me Juventusin në Ligën e Kampionëve, por tani mendjen e ka vetëm te aventura e re. Ai tha se fjalët e trajnerit Tudor dhe bashkëpunimi me shokët e skuadrës do ta ndihmojnë të përshtatet shpejt.
Ndërsa për ndeshjen e radhës kundër Interit, lojtari u shpreh se nuk do të zbresë në fushë. “Kam biseduar me trajnerin dhe më tha se duhet të punoj ende. Do të jem pranë skuadrës dhe do t’i mbështes shokët,” tha ai, duke lënë të kuptohet se debutimi i tij do të vijë shumë shpejt.