Pas shpalljes së qeverisë së re nga Edi Rama, gjashtë bashki në vend do të zhvillojnë zgjedhje të parakohshme për të zgjedhur kryetarët e rinj.
Formimi i kabinetit të ri “Rama 4” ka sjellë lëvizje të rëndësishme në pushtetin vendor, duke çuar në vakanca në drejtimin e disa bashkive. Pas Beratit, Tepelenës dhe Matit, ku kryebashkiakët e zgjedhur fituan mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 majit, lista është zgjeruar me edhe tre bashki të tjera.
Në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka shpallur si kandidate Ogerta Manastirliun, në vend të Erion Veliajt, i cili ndodhet në arrest që prej 10 shkurtit. Në Vlorë, dorëheqja e papritur e Ermal Dredhës ka hapur garën për kryebashkiakun e ri, ndërsa në Cërrik vendi është boshatisur pas emërimit të Andis Sallës ministër i Bujqësisë.
Për tre bashkitë e para që mbetën pa drejtues — Beratin, Tepelenën dhe Matin — kryetarët aktualë, Ervin Demo, Tërmet Peçi dhe Agron Malaj, do të jenë pjesë e Kuvendit si deputetë të rinj. Demo, krahas mandatit parlamentar, do të marrë edhe detyrën e ministrit të Pushtetit Vendor.
Tashmë, i vetmi hap që mbetet është caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Bajram Begaj, i cili pritet të dekretojë shpejt një afat zyrtar. Kjo do të hapë fushatën për zgjedhje intensive në të gjashta bashkitë.
Këto zhvillime pritet të gjallërojnë skenën politike lokale, pasi disa prej këtyre bashkive, veçanërisht Tirana dhe Vlora, kanë peshë të madhe elektorale dhe politike. Partitë pritet të hyjnë në garë me kandidatura të forta për të siguruar drejtimin e tyre.