Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për elektrifikimin e linjës Durrës–Tiranë dhe lidhjen me aeroportin, me kosto të parashikuar rreth 27 milionë euro.
Këtë javë, Hekurudha Shqiptare shpalli tenderin për elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Tiranë dhe degëzimin e saj drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Procesi do të zhvillohet në dy faza, duke nisur me dorëzimin e propozimeve teknike pa çmime dhe vijuar me ofertat financiare.
Projekti po realizohet me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka financuar fillimisht me 70 milionë euro, ndërsa këtë vit qeveria ka kërkuar edhe 40 milionë euro shtesë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve.
Faza e parë e tenderit parashikon vlerësimin e zgjidhjeve teknike dhe kualifikimeve të kompanive pjesëmarrëse, ndërsa në fazën e dytë do të dorëzohen ofertat e përditësuara me çmimet përkatëse. Kompanitë e kualifikuara do të ftohen në takime sqaruese para se të bëhet vlerësimi final.
Aktualisht, krahas ndërtimit të trasesë hekurudhore, po punohet edhe për ngritjen e stacioneve të reja përgjatë linjës. Punimet nisën në fund të vitit 2021, por kanë pësuar vonesa për shkak të procedurave të shpronësimit. Qeveria parashikon që gjurma e linjës të përfundojë brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Hekurudha Tiranë–Durrës me degëzimin drejt Rinasit do të ketë një gjatësi prej 39 kilometrash. Trenat elektrikë do të përshkojnë distancën nga Tirana në Durrës për vetëm 22 minuta, duke ndalur në 11 stacione të reja.
Ky projekt shihet si një investim strategjik për përmirësimin e transportit hekurudhor, lidhjen më efikase me aeroportin dhe rritjen e shërbimeve të transportit publik në vend.