Durrësi përballet sërish me përmbytje të mëdha, ja çfarë ndodhi në paraditen e sotme

Reshjet e dendura të natës kanë kthyer rrugët e Durrësit në lumenj, duke paralizuar qarkullimin dhe rritur shqetësimin e banorëve.

Qyteti bregdetar i Durrësit u zgjua sot nën ujë, pas një nate me reshje të dendura që nisën pas mesnate dhe vijuan deri në orët e para të mëngjesit. Shumë akse rrugore dhe lagje janë përmbytur, duke krijuar kaos në qarkullim, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Drejtuesit e automjeteve u përballën me vështirësi të mëdha, ndërsa disa segmente rrugësh u bënë të pakalueshme. Pamjet nga terreni tregojnë makina të mbetura në mes të ujit dhe këmbësorë që lëvizin me vështirësi.

Banorët thonë se kjo nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë. Sipas tyre, infrastruktura e amortizuar dhe mungesa e një sistemi efikas të drenazhimit e bëjnë qytetin të pambrojtur sa herë që ka reshje të forta.

Shumë prej tyre shprehin zemërim për mungesën e masave parandaluese dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet. Ata theksojnë se përmbytje të tilla përsëriten çdo vit, por asgjë nuk ndryshon.

Deri tani nuk ka raportime për dëme të mëdha materiale apo të lënduar, por ekspertët paralajmërojnë se, pa veprime të shpejta, situata mund të përkeqësohet në ditët e ardhshme.

Autoritetet pritet të mbajnë një takim urgjent për të analizuar gjendjen dhe për të vendosur masat që duhen marrë për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Ndaj Postimin: