Charlie Kirk, aktivist i njohur konservator dhe aleat i ngushtë i Donald Trump, u vra me një të shtënë në një aktivitet universitar në Utah.
Ngjarja tragjike ndodhi në oborrin e Qendrës Sorensen në Universitetin e Luginës së Utah, ku Kirk po merrte pjesë në një debat të organizuar nga Turning Point USA. Sipas autoriteteve, ai u qëllua me një plumb të vetëm nga çatia e një ndërtese dhe agresori arriti të largohej në kaosin e krijuar mes britmave dhe panikut.
Guvernatori i Utah, Spencer Cox, e quajti vrasjen “një atentat politik” dhe premtoi ndëshkim maksimal për autorin. Dy persona u ndaluan fillimisht, por u liruan pasi nuk rezultuan të lidhur me ngjarjen. Policia federale, shtetërore dhe lokale po heton disa “skena aktive krimi”, ndërsa motivi ende nuk është konfirmuar.
Momentet e atentatit u filmuan nga pjesëmarrësit. Në pamje, Kirk shihet duke folur nën një tendë të bardhë me sloganet “The American Comeback” dhe “Prove Me Wrong” kur dëgjohet e shtëna fatale. Gjaku i rrjedh nga qafa e tij dhe turma shpërthen në panik, me njerëz që largohen me vrap mes britmave.
Dëshmitarja Madison Lattin tha se ndodhej vetëm disa metra larg. “Gjaku po rridhte dhe ndjeva frikë për jetën e tij dhe timen,” rrëfeu ajo, duke përshkruar kaosin dhe njerëzit që ranë e u shkelën teksa përpiqeshin të largoheshin.
Para të shtënës, Kirk po i përgjigjej një pyetjeje mbi dhunën me armë. Pyetja lidhej me numrin e autorëve të masakrave që ishin transgjinorë, ndërsa ai u përgjigj “Shumë”. Më pas, pyetja vijoi mbi numrin total të autorëve të masakrave në SHBA, por biseda u ndërpre nga plumbi vdekjeprurës.
Në aktivitet ishin rreth 3.000 persona dhe siguria përfshinte gjashtë oficerë universitarë dhe rojet personale të Kirk. Pas ngjarjes, universiteti u evakuua dhe do të qëndrojë i mbyllur deri të hënën. Forca të armatosura patrulluan zonën përreth dhe banorët u pyetën për çdo informacion.
Presidenti Trump e quajti Kirk “dëshmor për të vërtetën dhe lirinë”, duke akuzuar retorikën e “së majtës radikale” për vrasjen. Ai shpalli uljen e flamujve në gjysmë shtize dhe publikoi një mesazh ngushëllimi për familjen.
Reagimet e dënimit erdhën nga të dyja krahët politikë. Guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe ish kongresistja Gabrielle Giffords shprehën tronditjen dhe solidaritetin me familjen. Ngjarja u vendos në kontekstin e një rritjeje të dhunës politike në SHBA, që ka prekur figura të ndryshme politike.
Charlie Kirk, i cili themeloi Turning Point USA në vitin 2012 së bashku me William Montgomery, u bë një figurë qendrore e aktivizmit konservator në kampuset universitare, duke mbështetur publikisht Donald Trump që nga viti 2016 dhe duke u shfaqur shpesh në media për të sfiduar kundërshtarët politikë.