Dredha largohet nga drejtimi i Bashkisë Vlorë mes kritikave, bën bilancin e tij me një mesazh falenderimi

Ermal Dredha i dërgoi një mesazh falënderimi vartësve pas dorëheqjes, duke pranuar se nuk i zgjidhi të gjitha problemet dhe duke uruar të mirat për të ardhmen.

Pas dorëheqjes së tij nga drejtimi i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha u është drejtuar me një mesazh bashkëpunëtorëve dhe vartësve, duke shprehur mirënjohje për mbi dy vite pune së bashku. Ai pranoi se nuk ka arritur t’u japë zgjidhje të gjitha problematikave, por e konsideroi një privilegj shërbimin ndaj qytetarëve.

Në mesazhin e tij, Dredha falënderoi për besimin dhe mbështetjen, duke kërkuar ndjesë për mbylljen e parakohshme të mandatit. Ai uroi shëndet dhe suksese për të gjithë, duke theksuar respektin e tij për punën e përbashkët.

Arsyet e dorëheqjes nuk janë bërë publike. Ndërkohë, në krye të sektorit të infrastrukturës është emëruar Elis Halili, ish-punonjës i kompanisë “Fusha”, i cili ka ndjekur projekte të ndryshme në Vlorë. Ky emërim pritet ta vendosë Halilin në rolin e kryetarit të komanduar të bashkisë, duke e çuar numrin e nënkryetarëve në tre.

Dredha ishte zgjedhur në korrik 2023, pasi zëvendësoi Dritan Lelin, si kandidat i Partisë Socialiste. Gjatë mandatit, ai është përballur me kritika të ashpra nga kryeministri Edi Rama, kryesisht për menaxhimin e ujësjellësit të Vlorës, të cilin Rama e cilësoi me “nivel papërgjegjshmërie të frikshëm” dhe me borxhe të mëdha.

Një tjetër moment tensioni mes Ramës dhe Dredhës ndodhi në qershor 2025, gjatë festës së ditëlindjes së PS-së, ku burime pranë ngjarjes thanë se kryeministri e kishte qortuar për zjarrin në fushën e mbetjeve në qytet. Kritika kishte edhe për menaxhimin e hapësirave publike dhe ndryshimet e shpejta në stafin drejtues të bashkisë.

Para postit në Vlorë, Dredha ka mbajtur pozicione të rëndësishme si Drejtor i Protokollit të Shtetit, Konsull në Bari dhe Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai është i martuar dhe ka dy vajza.

Ndaj Postimin: