Rritja e pagave shtyn mesataren kombëtare në administratë

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e dytë 2025, kryesisht falë shtesave në administratën publike.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës prill–qershor 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 83.906 lekë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, kjo përbën një rritje prej 11,7%, ndërsa ndaj tremujorit të parë të këtij viti, rritja ishte 2%.

Sektorët me paga më të larta se mesatarja kombëtare ishin aktivitetet financiare dhe të sigurimit, si dhe informacioni dhe komunikacioni. Por, rritja më e madhe u shënua në administratën publike, sigurimet shoqërore të detyrueshme, arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet sociale, me një rritje prej 16,9% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, aktivitetet financiare dhe të sigurimit pësuan rritjen më të ulët të pagave, vetëm 5,3%. Sa i përket profesioneve, më të paguarit mbeten menaxherët, ligjvënësit, drejtorët ekzekutivë dhe profesionistët me arsim të lartë, të cilët tejkalojnë dukshëm mesataren kombëtare.

Forcat e armatosura dhe profesionistët me arsim të lartë patën rritjet më të ndjeshme të pagave, respektivisht me 23,2% dhe 13,6%. Në anën tjetër, menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë u rritën me 8,8%.

Të dhënat tregojnë një ulje të numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një zhvendosje drejt kategorive me paga më të larta. Shpërndarja aktuale e pagave është më e ekuilibruar, me fokus te nivelet mesatare dhe të larta.

Në llogaritjet e INSTAT për pagën mesatare përfshihen vetëm punonjësit kontribuues që punojnë të paktën 18 ditë në muajin referues, nga të gjitha aktivitetet ekonomike, përfshi bujqësinë, pyjet dhe peshkimin.

Paga bruto mujore përfshin jo vetëm pagën bazë, por edhe shtesat për funksione drejtuese, vjetërsinë në punë dhe vështirësitë e kushteve të punës.

Ndaj Postimin: