Nga: Ndriçim Gjoshi
Tre persona janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Beratit, pas skandalit me eksportin e 8 tonëve domate të kontaminuara, të cilat u dërguan drejt Kroacisë nga subjekti Era Fruit.
I arrestuari kryesor është Mariglen Qorri, pronar i kompanisë eksportuese, i cili dyshohet se ka eksportuar domate me përmbajtje të lartë të preparatit të rrezikshëm ‘Chlorefenapyr’, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve në tregun europian.
Në pranga kanë rënë edhe dy inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) në Berat, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre” , pasi kanë kryer kontrolle formale dhe nuk kanë marrë mostra për analizë, duke pranuar faturat fiktive të blerjes si të rregullta dhe duke mos bllokuar produktet e dyshimta.
Sipas hetimeve, Qorri ka tentuar të shmangë përgjegjësinë ligjore duke përdorur dokumente false që tregonin sikur domatet ishin blerë nga fermerë të tjerë, ndërsa në realitet ishin prodhim i vetë kompanisë së tij.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrjetin e përfshirë dhe masat e tjera që do të merren ndaj këtij skandali që ka cënuar imazhin e eksporteve shqiptare dhe besueshmërinë e tregjeve të huaja ndaj produkteve bujqësore nga vendi.
Autoritetet kroate i kanë asgjësuar domatet*, ndërsa në magazinën e subjektit në Berat janë sekuestruar perime të tjera dhe janë marrë mostra për analiza të mëtejshme.