Dy viktima dhe dy të plagosur në një sulm të planifikuar nga një grup kriminal i strukturuar, me autor të armatosur dhe gati për të zhdukur provat.
Detaje të reja kanë dalë në dritë për masakrën e ndodhur një ditë më parë në Shkodër, ku humbën jetën dy persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Hetimet zbulojnë se ngjarja u urdhërua nga një grup i strukturuar kriminal, ndërsa autori Ragip Gila veproi për interesa të tij personale, duke kundërshtuar versionin e mëparshëm të dhënë për motivin.
Burime nga policia konfirmojnë se lidhja e kësaj ngjarjeje shtrihet deri te fisi Lici. Një ditë më parë, uniformat blu kryen kontrolle në disa banesa të lidhura me këtë fis, ku u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri, municione dhe pajisje të ndryshme.
Nga kontrollet u sekuestruan një armë automatike, gjashtë pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet “Audi” me targa të vjedhura në Lezhë, pesë dronë të madhësive të ndryshme me pajisje shtesë, një laptop dhe pesë aparate fotografike. Ky arsenal tregon përgatitje të lartë dhe organizim të mirë.
Në momentin e arrestimit, Gila kishte me vete një çantë ku mbante benzinë. Dyshohet se lënda djegëse do të përdorej për të djegur automjetin pas krimit, me synim zhdukjen e gjurmëve. Kjo tregon qartë se plani ishte i menduar deri në detaje.
Viktimat e atentatit ishin Armando Pali dhe Liridon Kraja (i njohur si Lushi). I plagosur mbeti Erogen Vaso (Brajoviq), i cili sipas burimeve ishte objektivi kryesor i sulmit, si dhe Meri Kaceri, punonjëse e lokalit ku ndodhi ngjarja.
Policia vijon hetimet për të identifikuar të gjithë anëtarët e përfshirë në këtë atentat, ndërsa pistat hetimore lidhen ngushtë me aktivitetin e grupeve kriminale që operojnë në veri të vendit. Autoritetet pritet të zbulojnë edhe rrjetin mbështetës që ka lehtësuar këtë ngjarje të përgjakshme.