Joni Keta, zëvendësdrejtori i BKH-së, shihet si favorit për postin më të lartë të institucionit pas një karriere të gjatë në zbatimin e ligjit.
Shtatë kandidatë kanë mbetur në garë për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucion që shpesh cilësohet si “FBI-ja shqiptare”. Ata do të punojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, me misionin për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ndër kandidatët më të përfolur është Joni Keta, aktualisht zëvendësdrejtor dhe drejtues i komanduar i BKH-së, pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt. Karriera e tij ka qenë në rritje të vazhdueshme, duke nisur si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda, e më pas si pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit pas krijimit të SPAK.
Keta është ndër oficerët e parë të këtij institucioni dhe në vitin 2024 fitoi garën për zëvendësdrejtor, duke u përzgjedhur mes gjashtë kandidatëve të tjerë. Ai është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit dhe ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe një mandat si Këshilltar i Etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nëna e tij, profesoresha Majlinda Keta, është një nga themelueset e Partisë Socialiste, por vite më vonë u distancua nga “Rilindja”, duke kritikuar hapur qeverisjen e Edi Ramës. Ajo shërben si lektore në Universitetin e Tiranës dhe njihet për qëndrimet e saj të majta kritike.
Keta është gjithashtu nipi i Bahri Shaqirit, ish-drejtorit më jetëgjatë të Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili ka mbajtur edhe pozicione të tjera të rëndësishme shtetërore. Familja e tij ka histori të gjatë përfshirjeje në çështjet kombëtare, përfshirë rolin e stërgjyshit në Luftën Nacional Çlirimtare.
Gara për drejtimin e BKH-së mbetet e fortë dhe përveç Jonit, në listë janë edhe Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano. Drejtuesi i ri do të zgjidhet nga një panel prokurorësh të përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, pas përfundimit të gjashtë fazave të procesit të përzgjedhjes.